VIDEO/ Policia e Vlorës kontrolle në Lungomare për nivelin e zhurmës

Policia e Vlorës ka intensifikuar kontrollet në zonën turistike të Lungomares për monitorimin e nivelit të zhurmave dhe respektimin e orarit të lejuar për aktivitetet me muzikë, në kuadër të masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror.
Sipas Policisë së Shtetit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë organizuar grupe kontrolli në terren, bazuar në hartëzimin e zonave me risk për ndotje akustike.
Gjatë kontrolleve janë kryer matje të nivelit të zhurmës në ambiente të hapura dhe të mbyllura përgjatë Lungomares, në zbatim të ligjit nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar.
Sipas rezultateve të matjeve, të kryera në përputhje me procedurat standarde, niveli i zhurmës ka rezultuar brenda kufijve të lejuar.
Paralelisht me kontrollet, efektivët e Policisë kanë zhvilluar takime informuese me pronarë dhe administratorë të subjekteve që zhvillojnë aktivitete me muzikë, duke i rikujtuar detyrimin për respektimin e orarit të lejuar, nga ora 11:00 deri në orën 24:00, për aktivitetet në ambiente të hapura dhe në qendrat e banuara.
Policia e Vlorës thekson se do të vijojë kontrollet gjatë gjithë sezonit turistik, me synim garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për qytetarët, vizitorët dhe pushuesit, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo shkelje apo paligjshmëri, duke garantuar anonimatin dhe reagimin e menjëhershëm në përputhje me ligjin.


