ALARM NË TREG/ Specat toksik që refuzoi Kroacia a po shiten në Shqipëri?

Autoritetet kroate kanë bllokuar në kufi një ngarkesë masive me speca të importuar nga Shqipëria. Kjo pasi analizat laboratorike zbuluan praninë e insekticidit të rrezikshëm Acetamiprid në masën rekord 0.41 miligramë për kilogram. Kjo shifër tejkalon me pothuajse pesë herë normën maksimale të lejuar nga Bashkimi Evropian.

Acetamiprid është një insekticid i fuqishëm që sulmon sistemin nervor të insekteve, por që tek njerëzit mund të ketë pasoja shkatërruese. Ekspertët e shëndetësisë paralajmërojnë se konsumi i produkteve me doza të larta shkakton helmime akute, dëmton sistemin nervor qendror, mëlçinë dhe veshkat.

Dokumentet zyrtare të siguruara ekskluzivisht  nga Ora News tregojnë se subjekti eksportues është kompania “RINALDI” SHPK, me qendër në Velmish të Roskovecit.

Ky biznes grumbullon produktet nga fermat e zonës dhe i nis ato drejt Evropës, por kësaj radhe, Evropa ua ktheu mbrapsht me vulën e "helmit".

Pyetjes së drejtpërdrejte se çfarë masash administrative ose penale mori AKU ndaj  subjekteve qe kane përdorur doza te larta  pesticidesh , ky institucion iu shmang përgjigjes, duke mos raportuar  masa konkrete si  gjoba apo ndjekje penale.

Përgjigja tregon se rasti është referuar për "këshillim dhe mbikëqyrje" të fermerëve.

Ndërsa Kroacia mbron konsumatorin me laboratorë dhe dorë të hekurt,institucionet tona, i luftojnë pesticidet me 'seanca këshillimi' dhe shkresa burokratike, pikërisht pasi specat toksikë kanë mbytur tregun.

Burime për Ora News bëjnë me dije se specat e vjelë nga të njëjtat parcela, janë hedhur tashmë edhe në tregun vendas.

Teksa Kroacia mori masa urgjente per  qytetaret e saj, konsumatorët shqiptar  jane te pambrojtur dhe të pa informuar rreth produkteve që përfundojnë në tryezat e tyre.

Të kontaktuar nga Ora News “RINALDI” SHPK”  na ka informuar se sasia totale e specave te  grumbulluar për eksport  nga fermerët e qarkut Fier dhe Berat eshte 14.6 ton. E gjithe kjo sasi është asgjesuar në shtetin Kroat.

EMISIONET