Kina sfidon SHBA-në në garën për inteligjencën artificiale, Xi prezanton vizionin e ri

Kina sfidon SHBA-në në garën për inteligjencën

Presidenti i Kinës, Xi Jinping bëri thirrje për kontrolle më të rrepta ndaj përdorimit të inteligjencës artificiale (IA), duke kërkuar njëkohësisht që kjo teknologji e avancuar të jetë më e aksesueshme, në një kohë kur rivaliteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës po intensifikohet.

“Duhet të forcojmë ndërgjegjësimin për rreziqet dhe të sigurojmë që inteligjenca artificiale të jetë e sigurt dhe e kontrollueshme”, tha sot Xi , në hapjen e Konferencës Botërore për Inteligjencën Artificiale, në Shangai.

Ai theksoi se është e nevojshme të kombinohen legjislacioni, mbikëqyrja dhe sistemet e paralajmërimit të hershëm, për të parandaluar keqpërdorimin e inteligjencës artificiale.

Në fjalimin e tij të parë në këtë konferencë vjetore, që organizohet që nga viti 2018, Xi nënvizoi rëndësinë gjithnjë në rritje, të inteligjencës artificiale për Partinë Komuniste në pushtet në Kinë.

Ai la të kuptohet se siguria kombëtare nuk duhet të përdoret si justifikim, për të kufizuar aksesin në modelet e inteligjencës artificiale.

Megjithëse Xi nuk përmendi asnjë shtet me emër, qeveria amerikane vendosi në qershor, kufizime të përkohshme për qasjen në disa modele të avancuara të inteligjencës artificiale.

Rivaliteti me SHBA-në

Përpjekjet e Kinës në këtë fushë, synojnë kryesisht të sfidojnë epërsinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat konsiderohen lider global në zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe shteti rival kryesor strategjik i Pekinit.

Kompanitë amerikane të teknologjisë, kanë akuzuar konkurrentët kinezë se kanë përvetësuar në mënyrë të paligjshme teknologjitë e tyre, për të trajnuar modelet e inteligjencës artificiale. Kompanitë kineze i kanë mohuar këto akuza.

Një ditë para fjalimit të Xi, 29 vende nënshkruan një marrëveshje për krijimin e Organizatës Botërore për Bashkëpunimin në Inteligjencën Artificiale (WAICO), e cila do të ketë selinë në Shangai.

Sipas agjencisë shtetërore kineze “Hsinhua”, ndër vendet nënshkruese janë Rusia, Indonezia dhe Kazakistani, të cilat kanë marrëdhënie të ngushta me Pekinin.

Organizata synon të nxisë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të forcojë qeverisjen globale në fushën e inteligjencës artificiale.

Gjithashtu, ajo do t’i ofrojë Kinës një platformë për të negociuar standardet ndërkombëtare në këtë sektor.

EMISIONET