Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i ka dalë në mbrojtje drejtuesve të lartë të policisë të cilët në procesin e vettingut rezultuan se kanë qenë pjesë e sigurimit të shtetit. Lleshaj tha se mban përgjegjësi për emërimin e Gjovalin Lokës pasi i ka shërbyer sigurisë së vendit, ndërsa pretendimet e Partisë Demokratike për Albert Dervishajn i quan të pavërteta.

Nga qyteti i Korçës, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka marrë në mbrojtje drejtuesit e lartë të policisë të cilët kanë rezultuar se kanë qenë pjesë e sigurimit të shtetit. Duke komentuar rikonfirmimin në detyrë të drejtorit Gjovalin Loka, Lleshaj tha se mban përgjegjësi për emërimin e tij, pasi ka dhënë kontribut të rëndësishëm në fushën e sigurisë.

Sandër Lleshaj: ‘’Gjovalin Loka është drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, ka dhënë kontribut për sigurinë e këtij vendi. Ka kaluar me sukses procesin e vettingut, dhe është në krye të detyrës me motivimin dhe mbështetjen tone.’’

Loka u emërua Drejtori i Departamentit të Sigurisë pas emërimit të Lleshajt si Ministër i Brendshëm, por krahas tij, pjesë e sigurimit kanë qenë dhe dy drejtorët Albert Dervishaj dhe Artan Shkëmbi.

Për Dervishajn, i cili pak ditë më parë u rrit në detyrë duke i emëruar zv/Drejtor i Përgjithshëm, Partia Demokratike shprehet se ka punuar për 10 vite në strukturën e Partisë Komuniste, por sipas ministrit janë aludime dhe akuza të pabaza.

Sandër Lleshaj: ’’Opozitës nuk i jap përgjigje. Janë aludime të pa mbështetura dhe të pabaza.’’

Ligji i vettingut në radhët e policisë e ndalon konfirmimin në detyrë të punonjësve të policisë të cilët figurojnë të kenë qenë pjesë e sigurimit të shtetit. Siç duket, për Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, ligji mund të mund të zbatohet me disa standarde.

Lexo edhe: Konfirmohet në detyrë Drejtori i sigurisë në Policinë e Shtetit, Gjovalin Gjoka