Yield-et e bonove 12-mujore të thesarit rriten lehtë në 3.65%

Yield-et e bonove 12-mujore të thesarit  rriten lehtë në 3.65%

Yield-i bonove 12-mujore të thesarit shënoi rritje të lehtë në ankandin e kësaj jave, kryesisht si rezultat i një pjesëmarrjeje disi më të ulët të investitorëve krahasuar me ankandet e mëparshme.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar u rrit në 3.65%, nga 3.61% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Nga 8.5 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave në ankand ishte 8.56 miliardë lekë.

Pro rata apo pjesa e pranuar e kërkesave konkurruese u rrit në 89.85%, nga 6.34% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Kjo duket se shpjegon rritjen e lehtë të yield-eve.

Megjithatë, ato vazhdojnë të jenë ndjeshëm më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një vit më parë, bonot që u rifinancuan në ankandin e kësaj jave ishin emetuar me një yield mesatar të ponderuar prej 3.93%.

Në përgjithësi, ekspertët mendojnë se presionet rritëse mbi yield-et e instrumenteve të qeverisë ngelen të dobëta. Këtë muaj, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë përsëri të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3.25%.

Vendimi ishte mëse i pritshëm, pasi inflacioni pësoi një rënie të ndjeshme në 2.6% në muajin shkurt, duke zbritur poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë për herë të parë që nga tetori i vitit 2021.

Nëse deri në fund të vitit 2023 Banka e Shqipërisë kishte përcjellë orientime se rritja e normave të interesit me shumë mundësi do të vijonte gjatë 2024, të dhënat e inflacionit në muajt e fundit duket se i kanë ndryshuar pritshmëritë mbi normat e interesit.

Tashmë, bankat më të mëdha qendrore, si FED dhe ECB po shtohet presioni për të filluar uljen e normave të interesit. Analistët parashikojnë se Banka Qendrore Europiane mund të aplikojë uljen e parë në qershor, nëse inflacioni do të vazhdojë të bjerë.

Në orientimet e fundit për të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë theksoi se vendimet e ardhshme të politikës monetare do të kushtëzohen nga informacioni i ri dhe do të jenë gjithnjë të orientuara drejt respektimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve, por dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.

Qeveria shqiptarë ka planifikuar të marrë hua 105.5 miliardë lekë në tregun e brendshëm financiar gjatë tremujorit të dytë të vitit. Kjo shumë përfshin huamarrjen e re dhe rifinancimin e instrumenteve të maturuara gjatë periudhës.

Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, shuma planifikuar e huamarrjes do të rritet me 7.2% krahasuar me shumën faktike të huamarrjes së siguruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë, huamarrja e brendshme pritet të jetë më e ulët krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti, me rreth 27% më pak. /Monitor

Yield-et e bonove 12-mujore të thesarit  rriten lehtë në 3.65%

Burimi: Banka e Shqipërisë

EMISIONET