Qeveria miraton rregullat për prodhimin, tregtimin e ambalazhimin e produkteve plehëruese

Qeveria miraton rregullat për prodhimin, tregtimin e ambalazhimin e

Me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin që përcakton rregullat dhe procedurat për prodhimin, tregtimin, ruajtjen, ambalazhimin, etiketimin dhe përdorimin e produkteve plehëruese të regjistruara.

Sipas këtij vendimi, “Institucion përgjegjës”, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, është përgjegjës për mbikëqyrjen dhe kontrollin e prodhimit, importimit, eksportimit, ruajtjes, tregtimit dhe përdorimit të produkteve plehëruese.

Vendimi përcakton se “Produkt plehërues i thjeshtë është me bazë nitrat amoni, me përmbajtje të lartë azoti”, produkti plehërues në gjendje të ngurtë, me përmbajtje 28% ose më shumë në masë të azotit (N), të përftuar nga nitrati i amonit (NH4NO3).

Në Republikën e Shqipërisë lejohet vetëm prodhimi i produkteve plehëruese, të regjistruara sipas ligjit.

Të drejtën për ushtrimin e veprimtarisë së prodhimit të produkteve plehëruese e ka çdo person juridik ose fizik, që paraqet dokumentacionin, si më poshtë vijon: Dokument certifikimi nga një trupë certifikuese, i lëshuar sipas ligjit; Diplomë “Bachelor” ose “Master” të drejtuesit teknik në fushën e kimisë ose agronomisë; Kontratë pune me kohё të plotë e drejtuesit teknik; Dokumentin që vërteton se ka laborator për kryerjen e analizave për qëllime të vetëkontrollit, në pronësi të prodhuesit ose një laborator tjetër të nënkontraktuar prej tij; Dokument të lëshuar nga Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi;Dokument të lëshuar nga inspektorati përgjegjës për shëndetësinë; Leje mjedisore, lëshuar nga ministria përgjegjëse për mjedisin.

Prodhimi i produkteve plehëruese me rrezikshmёri bëhet nga çdo person juridik ose fizik, pas pajisjes me licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie.

Klasifikimi, etiketimi dhe ambalazhimi i produkteve plehëruese që prodhohen kryhen sipas legjislacionit në fuqi për menaxhimin e kimikateve.

Çdo prodhues i produkteve plehëruese ka një drejtues teknik, i cili kryen këto funksione: Ndjek dhe kontrollon të gjitha fazat e procesit të prodhimit të produktit plehërues;Mban dokumentacionin teknik për 3 (tre) vjet pasi produkti plehërues është prodhuar dhe është vendosur në treg dhe e vendos atë në dispozicion të institucionit pёrgjegjёs.

Institucioni përgjegjës pezullon veprimtarinë e prodhimit të produkteve plehëruese dhe produkteve plehëruese me rrezikshmëri në rastet kur nuk plotësohen kriteret e këtij vendimi.

Institucioni përgjegjës pezullon deri në 30 ditë kalendarike licencën e prodhimit të produkteve plehëruese me rrezikshmëri në rastet kur nuk plotësohen kriteret.

Vendimi përcakton se, brenda muajit mars të çdo viti institucioni përgjegjës i dërgon ministrisë përmbledhësen e sasisё së produkteve plehëruese qё janë importuar dhe hedhur nё treg gjatё vitit tё mёparshёm kalendarik. Ministria, pas pёrpunimit, ia dёrgon këto të dhëna INSTAT-it për publikim, si dhe ministrisë përgjegjëse për menaxhimin e kimikateve.

Prodhimi deri te tregtimi me pakicë i produkteve plehëruese duhet të shoqërohet nga dokumentacioni për të dhënat e sigurisë (MSDS). Inspektimi dhe kontrolli për cilësinë e produkteve plehëruese, tё vendosura dhe të hedhura nё treg, lidhur me plotësimin e kërkesave ligjore për tregtim, kryhen nё bazё tё Planit Kombëtar tё Inspektimeve me bazё risku dhe marrjes së mostrave, tё miratuara me urdhër ministri.

Ambalazhimi, etiketimi dhe përdorimi i produkteve plehëruese të regjistruara kryhet vetëm, sipas nenit 7, të ligjit.

Ambalazhimi dhe etiketimi i produkteve plehëruese me rrezikshmëri bëhet nga persona juridikë ose fizikë, pasi të pajisen me licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie. Ambalazhimi dhe etiketimi i produkteve plehëruese kryhet në përputhje me legjislacionin e menaxhimit të kimikateve.

Për personat juridikë ose fizikë që prodhojnë, ambalazhojnë dhe tregtojnë produkte plehëruese, brenda 6 (gjashtë) muajve pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, kryhet vlerësimi i përputhshmërisë së kritereve të përcaktuara në këtë vendim.

Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pёr zbatimin e kёtij vendimi.

EMISIONET