VIDEO/ Pasdite vere në Sarandën e mbushur me turistë

Saranda po përjeton një tjetër sezon turistik me fluks të lartë vizitorësh vendas dhe të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje të një pasditeje vere në Sarandë, ku veç detit vizitorët shijojnë edhe aktivitetet e shumta të organizuara nga bashkia.
Për mbarëvajtjen e sezonit truristik, autoritetet vendore po zbatojnë një plan masash që ka në fokus më tepër hapësira publike në dispozicion të pushuesve duke ofruar shërbime më cilësore.
Plazhet publike janë sistemuar, ndërsa janë intensifikuar kontrollet për mbarëvajtjen e sezonit, me synimin që të ofrohet një eksperiencë sa më cilësore për çdo vizitor.
Bashkia Sarandë ka parashikuar po ashtu një kalendar të pasur aktivitetesh kulturore dhe artistike.
Në shëtitoren bregdetare dhe në sheshet kryesore do të organizohen koncerte me artistë shqiptarë dhe të huaj, net folklorike, panaire artizanale, ekspozita, aktivitete sportive në plazh, shfaqje për fëmijë, si edhe mbrëmje muzikore që synojnë të gjallërojnë jetën e qytetit dhe të pasurojnë ofertën turistike.
Vizitorët kanë gjithashtu mundësinë të eksplorojnë atraksionet më të njohura të zonës, si plazhet e Ksamilit, burimin e Syrit të Kaltër, kalanë e Lëkurësit, Parkun Kombëtar të Butrintit, etj.


