VIDEO/ Koçiu: Trefishim i aplikimeve në Startup Albania, të rinjtë zgjedhin të investojnë të ardhmen në vend

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi se rritja e numrit të aplikimeve në Programin Startup Albania tregon një interes në rritje të të rinjve për të zhvilluar idetë e tyre dhe për të ndërtuar sipërmarrje në Shqipëri.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçiu u shpreh se trefishimi i aplikimeve në këtë program është një tregues se të rinjtë po zgjedhin gjithnjë e më shumë të investojnë në të ardhmen e tyre në vend, duke i kthyer idetë në projekte konkrete dhe histori suksesi.
“Për t’i mbështetur në këtë rrugëtim, kemi dyfishuar financimin e Programit Startup Albania, duke e rritur atë në 6 milionë euro. Ky angazhim është pjesë e vizionit afatgjatë për ndërtimin e një ekosistemi më të fortë për sipërmarrjen”, u shpreh Koçiu.
Ajo theksoi se gjatë katër viteve të fundit janë investuar 16.5 milionë euro për startup-et dhe inovacionin në vend, me synim krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë dhe zhvillimin e një ekonomie të bazuar në ide të reja dhe teknologji.
“Së bashku me të rinjtë, ndërtojmë nga Shqipëria të ardhmen europiane”, deklaroi zëvendëskryeministrja Koçiu.

