PSE KY AGRESIVETET? Halilaj: Burrë s’të bën as fjala e as gjinia, por përgjegjësia! Problemi kërkohet te familja

Rastet e përsëritura të dhunës në shoqëri kanë rikthyer debatin mbi shkaqet që çojnë individët drejt sjelljeve agresive. Pedagogia Helena Halilaj, në një intervistë për “Ora News”, u shpreh se shumë prej këtyre fenomeneve lidhen me historinë personale të individëve, edukimin familjar dhe modelet e sjelljes të trashëguara ndër vite.

Duke komentuar ngjarjet e fundit të dhunës, Halilaj tha se njerëzit nuk ndryshojnë lehtë karakterin dhe tiparet e tyre themelore, pasi ato formohen nga një kombinim faktorësh si gjenetika, mënyra e rritjes, edukimi dhe përvojat e jetës.

Sipas saj, shpesh shoqëria përpiqet të ndryshojë njerëzit në bazë të pritshmërive të veta, por disa elementë të personalitetit janë të rrënjosur dhe shfaqen në marrëdhëniet me partnerin, familjen apo komunitetin.

Pedagogia ngriti shqetësimin për mentalitetet e dëmshme që vazhdojnë të ekzistojnë në disa familje, ku dominon ideja se njëri partner duhet të ketë kontroll mbi tjetrin. Ajo theksoi se përgjegjësia dhe respekti janë ato që përcaktojnë një marrëdhënie të shëndetshme, jo thjesht gjinia.

Duke folur për rastet e rënda të dhunës dhe krimeve të fundit, Halilaj nënvizoi rëndësinë e komunikimit në familje dhe të njohjes së mirë të personit me të cilin ndërtohet një marrëdhënie. Sipas saj, shumë probleme shfaqen më vonë, pasi shenjat paralajmëruese shpesh nuk vërehen në fillim të një lidhjeje.

Ajo u ndal edhe te ndikimi i shoqërisë dhe rrjeteve sociale, duke thënë se mënyra se si individët komunikojnë dhe përforcojnë mendimet e njëri-tjetrit mund të ndikojë në krijimin e situatave të rrezikshme.

Halilaj apeloi për më shumë vëmendje dhe mbështetje ndaj personave që përballen me situata të vështira, duke theksuar se parandalimi i dhunës nuk është vetëm detyrë e institucioneve, por edhe e familjes dhe gjithë shoqërisë. Sipas saj, pyetja kryesore nuk është vetëm pse ndodhin këto ngjarje, por çfarë mund të bëhet që ato të mos përsëriten.

Helena Halilaj: Po mendoja në veten gjatë kohës që po shikoja lajmet edhe informacionet e vazhdueshme që qarkullojnë nëpër media, shumë herë kthehemi te historitë e mbartura në të familjes e të thënieve, të shprehjeve, të përjetimeve që shumë herë nga moshat e mesme apo moshat e treta na vijnë si jo të këndshme kur na thuhen. Në fakt ato janë burimore, të hershme, të marra nga eksperienca dhe nga ngjarjet që u kanë ndodhur më përpara përfshirë prindërve tanë, gjyshërve, ngjarje të dëgjuara më përpara.

Dhe dua ta lidh këtë drejtpërdrejt me tiparet apo elementët që njerëzit pavarësisht moshës, dhe t'ja bashkangjis pyetjes tënde, nuk ndryshojnë dhe mendoj që shumë herë ne përpiqemi t'i përmirësojmë njerëzit dhe t'i ndryshojmë dhe t'i përshtasim në kushtet dhe rrethanat të cilat ne duam që ata të jenë, përfshirë partnerin apo partneren.

Por njerëzit bëhen deri në një moshë të caktuar dhe nuk duhet të harrojmë asnjëherë edhe elementët bashkëshoqërues të pandryshueshëm, siç janë elementët gjenetikë, mënyra se si janë rritur në familje, edukimin që ata kanë dhe deri në marrëdhënie me palët e dyta apo të treta që në këtë rast janë marrëdhënia me partnerin, marrëdhënia me punën, marrëdhënia me suksesin, me dështimin, që shumë herë ne kemi folur edhe në studion tonë. Përsa i përket këtij rasti është tipikisht ajo shprehja që ne themi vesi apo ato cilësitë jo të mira të njeriut vdesin bashkë me njeriun.

Ka njerëz të cilët lindin të shtrembër Sonila edhe kanë të mbartur me vete të gjithë atë natyralitetin jo të mirë, kanë të mbartur me vete xhelozinë, kanë të mbartur me vete presionin, kanë të mbartur me vete dy personalitete, kanë me vete të gjithë le të themi mendësinë sepse gruaja duhet të bindet, duhet të dëgjojë, duhet të zbatojë urdhrat. Burri është i pari, thjesht se është burrë, pavarësisht llojit të kontributit dhe se sa i zoti është në familje, sepse harrojmë një gjë që burrë nuk të bën vetëm fjala burrë apo gjinia që dikush mund ta përcaktojë , të bën e gjithë përgjegjësia e madhe që ti merr në familje, përgjegjësia në rradhë të parë individuale, sepse burrat përgjithësisht sipas mendimit tim, burrat lindin dhe nuk të vjen një grua nga tëntënda që të të bëjë burrë.

Ti je burrë përpara se sa të martohesh, për të gjitha elementët dhe të para që ti zotëron në marrëdhënie, në marrëdhënie me jetën e në marrëdhënie me të tjerët. Përsa i përket rasteve të fundit, janë rastet e përsëritura për të cilat ne kemi ngritur shumë herë alarmin dhe kemi thënë që sa e rëndësishme është të komunikohet në familje, sa e rëndësishme është që lidhja e martesave dhe dashurive të jenë të kujdesshme. Të njohim njerëzit me të cilët ne kemi vendosur, të ndajmë jetën apo kemi vendosur të ndërtojmë një familje.

Shumë herë kur bëhen pyetje të tilla, se cilat janë rrethanat në të cilat ju keni vendosur për të bashkëjetuar apo për t'u martuar, duken nganjëherë si pyetje fëminore dhe pyetje shumë të dobëta, por në fakt pikërisht këtu qëndrojnë edhe përgjigjet më të mëdha që nuk merren në momentin e bërjes së pyetjes apo të lidhjes së një martese dhe një dashurie, por këto janë përgjigjet më të vona që i vijnë individit dhe nga rrethanat dhe kushtet që pastaj ato dalin edhe ndërtojnë le të themi këtë lloj raporti.

Përsa i përket vrasjes në Shkodër apo përsa i përket inskenimeve të jashtëzakonshme që kemi parë në rastin e Fierit, apo aludimeve të shumta që qarkullojnë nëpër media, mënyrën se si janë organizuar ato tre vajza, se si e keqja bëhet bashkë dhe nuk është më një person, por bëhen tre persona dhe kanë të njëjtën mendje, bashkëjetojnë njësoj me të njëjtat mendime, është një situatë të cilën ne vazhdimisht e ndjejmë edhe e shohim edhe në raste të tjera të mënyrës se si komunikohet nëpër media sociale, se si komunikohet gjithandej, për të cilën ne sigurisht jemi përpjekur në të gjitha drejtimet që të japim instruksionet e duhura për aq sa ne kemi mundësi, duke pasur parasysh që ne i përkasim fushës së edukimit.

Shiko Sonila, në thelb është e thjeshtë të thuhet që shumë ngjarje mund të mos ndodhnin. Edhe duhet të mos ndodhnin, është pastaj çështje tjetër. Por çfarë bëjmë ne që këto ngjarje të mos ndodhin?

Çfarë bëjmë ne në shoqëri, në marrëdhënie miqësore, çfarë bëjmë ne në qetësimin e situatave mes njerëzve dhe çfarë bëjmë ne për shoqërinë edhe se sa të gatshëm jemi ne për t'i mbështetur individët, shoqet tona, motrat, njerëzit që janë afër, vëllezërit tanë sigurisht, miqtë tanë, kur kalojnë situata të tilla dhe sa të gatshëm jemi ne për t'i suportuar ato.

EMISIONET