“FANTAZMAT” E RRUGËVE/ Bundestagu ashpërson rregullat për skuterët elektrikë pas rritjes së aksidenteve

“FANTAZMAT” E RRUGËVE/ Bundestagu ashpërson rregullat

Parlamenti gjerman (Bundestagu) ka miratuar një ligj të ri që forcon përgjegjësinë ligjore të kompanive që japin me qira skuterë elektrikë, me synimin që viktimat e aksidenteve të kenë më të lehtë të marrin dëmshpërblim.

Ministrja gjermane e Drejtësisë, Stefanie Hubig, deklaroi se kompanitë që përfitojnë nga dhënia me qira e skuterëve elektrikë duhet të mbajnë përgjegjësi edhe për dëmet që shkaktojnë mjetet e tyre.

Sipas ligjit të ri, kompania që ka në pronësi “flotën” e skuterëve do të mbulojë kostot e aksidentit në rastet kur personi përgjegjës nuk mund të identifikohet ose nuk mund të mbahet ligjërisht përgjegjës.

Ndryshimet prekin edhe rastet kur aksidentet shkaktohen nga skuterët e parkuar. Viktimat nuk do të jenë më të detyruara të provojnë se një përdorues e ka lënë mjetin në mënyrë të gabuar për të kërkuar dëmshpërblim.

Ligji u miratua në një kohë kur numri i aksidenteve me skuterë elektrikë në Gjermani është rritur ndjeshëm.

Sipas të dhënave zyrtare, aksidentet me këto mjete janë pothuajse dyfishuar, nga rreth 5 900 raste në vitin 2020 në afro 12 500 raste gjatë vitit 2024.

Deri tani, shumë viktima mbeteshin pa kompensim, pasi skuterët elektrikë nuk i nënshtroheshin rregullave të rrepta të përgjegjësisë që zbatohen për automjetet motorike.

Rregullat e reja vlejnë vetëm për mjetet vetëbalancuese, si skuterët elektrikë, ndërsa nuk përfshijnë kositëset e barit me motor dhe skuterët që përdoren nga personat me vështirësi në ecje.

EMISIONET