Kush po e drejton Iranin? Mungesa e liderit të ri pason epokën e Khameneit...

Që nga themelimi i Republikës Islamike në vitin 1979, sistemi politik i Iranit është ndërtuar rreth figurës së Udhëheqësit Suprem. Fillimisht ishte Ruhollah Khomeini, lideri karizmatik që erdhi në pushtet pas revolucionit islamik, i mbështetur nga një koalicion i forcave islamiste dhe të majta.
Pas vdekjes së tij, drejtimin e vendit e mori Ali Khamenei.
Edhe pse nuk kishte të njëjtin autoritet fetar si paraardhësi i tij, ai ishte pjesë e strukturës së pushtetit që në vitet e para të republikës, pasi kishte shërbyer si president dhe kishte mbikëqyrur luftën me Irakun.
Për 37 vjet në krye të shtetit, Khamenei ishte vazhdimisht i pranishëm në jetën publike.
Ai mbante fjalime të rregullta, takonte zyrtarë shtetërorë dhe delegacione të huaja, ndërsa ndikimi i tij shtrihej në çdo aspekt të jetës politike dhe institucionale të Iranit. Gjatë kësaj periudhe, ai ndërtoi një rrjet të fuqishëm politik dhe ekonomik që i siguroi regjimit stabilitet dhe mbijetesë.
Megjithatë, situata aktuale duket ndryshe. Republika Islamike ka hyrë në një fazë të re, ku figura që qëndron në majën e piramidës së pushtetit nuk është më e pranishme në publik.
Mungesa e Mojtaba Khameneit në ceremoninë mortore të të atit mund të lidhet me shqetësimet për sigurinë e tij. Megjithatë, kjo ka shtuar spekulimet dhe ka rikthyer pyetjen që mbështetësit dhe kundërshtarët e regjimit kanë ngritur prej muajsh: kush po drejton realisht Iranin?
Analistët vlerësojnë se, në një moment, udhëheqësi i ri do të duhet të dalë para publikut për të konsoliduar autoritetin e tij. Sa më gjatë të zgjasë mungesa e tij, aq më shumë mund të dobësohet kontrolli mbi sistemin e ndërtuar nga Ali Khamenei.
Meqenëse modeli i qeverisjes së Republikës Islamike është mbështetur tradicionalisht te figura e fortë e Udhëheqësit Suprem, mungesa e një pranie të tillë mund të krijojë hapësirë për ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si ushtrohet pushteti në Iran.

