Qeveria miraton rregulla të reja për markimin dhe gjurmimin e armëve ushtarake

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e kërkesave për gjurmueshmërinë, rregullave për elementet, etiketën apo pullën unike të markimit apo forma të tjera të identifikimit e të individualizimit të armatimit ushtarak, procedurës dhe mënyrës së markimit dhe gjurmimit, si dhe autoritetit apo palës së autorizuar për realizimin e markimit e të gjurmimit.
Vendimi synon krijimin e një sistemi të unifikuar dhe të kontrollueshëm për identifikimin e çdo produkti ushtarak, me qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e përdorimit të paligjshëm të tyre.
Sipas vendimit, çdo armë, municion, pajisje dhe teknologji ushtarake do të pajiset me një kod unik identifikues, i cili mund të realizohet nëpërmjet gdhendjes mekanike, gravurës me lazer, stampimit, barkodit, QR Code ose teknologjisë RFID. Markimi duhet të jetë i përhershëm, i lexueshëm dhe rezistent ndaj konsumimit, ndërhyrjeve apo falsifikimit.
Një tjetër element i rëndësishëm është krijimi i një regjistri elektronik të administruar nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, ku do të regjistrohen të gjitha të dhënat për armët, municionet dhe pajisjet ushtarake. Regjistri do të mundësojë gjurmimin e tyre gjatë gjithë ciklit të jetës, nga prodhimi dhe magazinimi deri te transporti, përdorimi dhe asgjësimi.
Vendimi detyron gjithashtu çdo subjekt të licencuar të krijojë një sistem të brendshëm elektronik për regjistrimin dhe gjurmimin e produkteve, të ndërlidhur me regjistrin qendror të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes. Subjektet do të jenë përgjegjëse për përditësimin e vazhdueshëm të të dhënave dhe ruajtjen e tyre për të paktën 10 vjet.
Sipas vendimit rregullat vendosin detyrime të veçanta për prodhuesit dhe importuesit. Prodhuesit duhet të markojnë produktet përpara se ato të dalin nga ambientet e prodhimit, ndërsa importuesit do të lejohen të importojnë vetëm produkte të markuara sipas standardeve shqiptare ose atyre ndërkombëtare. Në rast se produktet nuk përmbushin kërkesat, ato duhet të markohen përpara se të hidhen në treg ose të përdoren.
Vendimi përcakton gjithashtu standarde të posaçme për etiketimin e municioneve. Paketimet duhet të përmbajnë informacione mbi prodhuesin, llojin dhe kalibrin, lotin e prodhimit, datën e prodhimit, si dhe një kod unik gjurmimi. Për disa kategori municionesh parashikohet edhe përdorimi i mikrokodimit dhe kodimit me ngjyra për identifikimin e tyre.
Gjithashtu janë vendosur rregulla për transportin e armatimeve dhe teknologjive ushtarake. Çdo ngarkesë duhet të shoqërohet me certifikatën e origjinës, deklaratën e transportit dhe etiketat e sigurisë sipas standardeve të NATO-s, ndërsa eksportet dhe importet duhet të regjistrohen paraprakisht në regjistrin elektronik.
Vendimi parashikon edhe markimin dhe gjurmimin e uniformave ushtarake. Çdo uniformë do të pajiset me etiketë ose pullë identifikuese fizike apo elektronike, me kod unik të lotit, emrin e prodhuesit, datën dhe vendin e prodhimit, duke mundësuar gjurmimin e tyre në sistemin elektronik.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.


