VIDEO/ AKU kontrolle në Sarandë, verifikohen kushtet higjieno-sanitare në hotele

Drejtoresha e përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Blerina Gjylameti, monitoroi nga afër punën e task-forcës në Sarandë, në kuadër të kontrolleve gjatë sezonit turistik.
Gjatë inspektimit të zhvilluar në Hotel “Demi”, u ndoqën procedurat e kontrollit nga trupa inspektuese e AKU-së, në verifikimin e kontrollit të kushteve higjieno-sanitare, kushtet e ruajtjes së produkteve ushqimore, si dhe respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore.
Gjylameti theksoi se kontrollet do të vijojnë në të gjithë vendin, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, garantimin e sigurisë së produkteve ushqimore sipas standardeve të kërkuara, veçanërisht gjatë periudhës me fluks të lartë vizitorësh.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mbetet i angazhuar për të garantuar siguri ushqimore dhe respektim të ligjit në çdo subjekt të biznesit ushqimor.

