Ngatërroi Iranin me Zelandën e Re në transmetim / Telekronisti përjashtohet nga Botërori

Ngatërroi Iranin me Zelandën e Re në transmetim / Telekronisti

Një gafë e pazakontë gjatë transmetimit të një ndeshjeje të Kupës së Botës i ka kushtuar shtrenjtë një komentatori sportiv turk. Murat Ekrem Cimen është larguar nga ekipi i transmetimit të Botërorit pasi ngatërroi për disa minuta kombëtaret e Iranit dhe Zelandës së Re gjatë komentimit të ndeshjes.

Incidenti ndodhi në transmetimin e drejtpërdrejtë të rrjetit turk TRT, ku komentatori për katër minutat e para të takimit identifikoi gabimisht lojtarët dhe skuadrat në fushë, duke e quajtur Zelandën e Re “Iran” dhe anasjelltas.

Gabimi u vu re menjëherë nga shikuesit dhe u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, ku videoja e momentit u bë virale brenda pak orësh. Përballë reagimeve të shumta, TRT publikoi një deklaratë zyrtare duke kërkuar falje dhe duke e cilësuar ngjarjen si një gabim të papranueshëm sipas standardeve profesionale të transmetuesit.

Sipas njoftimit, ndaj gazetarit janë ndërmarrë procedura administrative dhe ai është larguar nga komentimi i ndeshjeve të Botërorit. Megjithatë, ai do të vazhdojë të jetë pjesë e programeve të tjera që lidhen me turneun.

TRT theksoi se një gabim i tillë është veçanërisht i rëndë për një profesionist me më shumë se 30 vite përvojë në gazetarinë sportive. Raportohet se Cimen po e komentonte ndeshjen nga studiot në Turqi dhe se konfuzioni vazhdoi derisa në ekran u shfaq në plan të afërt sulmuesi iranian Mehdi Taremi, moment që e bëri komentatorin të kuptonte gabimin.

Pas shpërthimit të kritikave në internet, gazetari mbylli llogaritë e tij në rrjetet sociale, ndërsa transmetuesi turk rezervoi të drejtën për të vlerësuar më tej pozicionin e tij pas përfundimit të Botërorit.

Ngjarja është kthyer në një nga episodet më të komentuara të turneut, duke ngritur diskutime mbi profesionalizmin dhe përgatitjen e komentatorëve për eventet më të mëdha sportive në botë.

EMISIONET