Shkatërrohet rrjeti kriminal në Evropë/ Trafik a*mësh të falsifikuara nga Turqia drejt BE-së, 10 të arrestuar

Shkatërrohet rrjeti kriminal në Evropë/ Trafik a*mësh

Autoritetet franceze, në bashkëpunim me Europolin dhe Policinë Federale Zvicerane, kanë goditur një rrjet kriminal të dyshuar për trafik armësh zjarri të falsifikuara dhe të modifikuara që silleshin nga Turqia drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Operacioni është zhvilluar mes 8 dhe 11 qershorit 2026 dhe ka përfunduar me arrestimin e dhjetë personave. Në të njëjtën kohë janë kryer kontrolle në disa banesa luksoze në jug të Francës, përfshirë qytetet Fréjus, Cannes, Nice dhe Marseille.

Hetimet kanë nisur në qershor të vitit 2025, pasi në një automjet luksoz që udhëtonte nga Zvicra drejt Francës u zbuluan dy pistoleta imituese të fshehura. Kjo ngjarje çoi në zbulimin e një rrjeti të organizuar, kryesisht me shtetas turq dhe me një drejtues me origjinë turko-gjermane.

Gjatë operacionit janë sekuestruar armë të modifikuara, tre makina luksoze, ora dhe bizhuteri të shtrenjta, veshje firmato, dokumente të falsifikuara, telefona, kompjuterë, sasi droge dhe rreth 30 mijë euro cash. Në total, pasuritë e sekuestruara kapin vlerën mbi 1.2 milionë euro.

Sipas hetuesve, rrjeti kishte fitime të konsiderueshme nga furnizimi me armë për grupe kriminale në disa vende evropiane.

Udhëheqësi i dyshuar i organizatës është arrestuar më herët në Sllovaki dhe më pas është ekstraduar në Turqi, por dyshohet se ka vazhduar të drejtojë aktivitetin përmes bashkëpunëtorëve të tij në vende të ndryshme të Evropës.

EMISIONET