Tregu e rriti pagën minimale para qeverisë, por sërish jemi të fundit në Europë
Në 3-mujorin e tretë 2022, vetëm 15% e punonjësve me pagë paguheshin deri në kufirin minimal nga më shumë se 33% në të njëjtën periudhë në vitin 2021. Në totalin e të punësuarve, pjesa e punonjësve me pagë minimale është reduktuar ndjeshëm.
Florian Zekja, përfaqësues i shoqatës “ProEksport”, me aktivitet në industrinë e prodhimit të veshjeve, tha se, aktualisht pjesa më e madhe e punonjësve në fasoneri kanë paga bruto më të mëdha se 40 mijë lekë.
Vitin e kaluar, pas pandemisë, fabrikat u përballën me një kërkesë të lartë për punë, në një kohë që punonjësit po reduktoheshin nga emigrimi dhe konkurrenca e brendshme.
Vitin e kaluar, fabrikat rritën pagat me ritme dyshifrore, duke e çuar pagën mesatare neto për shumicën e punonjësve në 40 mijë lekë. Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, tha se tregu po kërkon rritje më të madhe të pagës minimale se vendimi i fundit i qeverisë.
Sipas tij, Shqipëria duhet të ketë pagë minimale 500 euro. Kjo pagë, sipas tij, do të sjellë rritje të konsumit dhe do të nxisë prodhimin drejt nivelit më të lartë të tregut. Z. Jaka tha se rritja e pagave në këtë nivel është domosdoshmëri për të ulur hemorragjinë e emigrimit të të rinjve.
Sektori i fasonit, i cili e mbështet aktivitetin në krahun e lirë të punës, ka pasur 30 vite për të kaluar në ciklin e mbyllur dhe nuk e ka bërë, tha Jaka. Sipas tij, ka ardhur koha për paga më të larta dhe qeveria të orientojë modelin në një vlerë më të lartë të tregut, për të mos mbetur peng i një strukture prodhimi bazuar në fason.
Paga minimale bruto 40,000 lekë, kostot e reja të sigurimeve për biznesin dhe punonjësit.
Rritja me 6 mijë lekë, ose rreth 18% e pagës minimale, do të shtojë kostot e biznesit për pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Aktualisht, për një pagë minimale 34 mijë lekë, kostot për kontributet e sigurimeve shoqërore janë 8300 lekë dhe për sigurimet shëndetësore 1156 lekë, gjithsej 9486 lekë. Nga këto, 5678 lekë i paguan punëmarrësi dhe 3808 lekë, punëdhënësi.
Me rritjen e kufirit për një pagë 40 mijë lekë, pagesa e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore arrin në 11,160 lekë, me rritje 18% në krahasim me pagën 34 mijë lekë. Nga kjo shumë, kostot për punëdhënësin janë 6680 lekë dhe për punëmarrësit, 4,480 lekë.
Disa sektorë në qarqet e vendit, por edhe në Tiranë, kanë krijuar një skemë informaliteti, me të cilën punonjësit marrin pagën në bankë dhe e kthejnë një pjesë mbrapsht sipas një marrëveshje me punëdhënësit. Punëdhënësi, në këtë rast, paguan sigurimet shoqërore dhe shëndetësore me paga minimale, por ndërkohë merr mbrapsht një pjesë të pagesës nga punonjësit.
Paga minimale neto, pas 1 prillit 2023, arrin në 35,520 lekë, nga 30,192 lekë që është aktualisht me rritje 18%.
Sipas ligjeve në fuqi, kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore është 24.5% të pagës bruto, ku pjesa e punëdhënësit do të jetë 15.0% dhe pjesa e të punësuarit, 9.5%, por jo më pak se paga minimale dhe jo më shumë se paga maksimale.
Për sigurimin e kujdesit shëndetësor, kontributi është 3.4% të pagës bruto, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 1.7% dhe pjesa e të punësuarit 1.7%, por jo më pak se paga minimale.
Në vendimin e fundit për rritjen e pagës minimale, qeveria ka krijuar një mekanizëm që do të subvencionojë kostot shtesë të sigurimeve shoqërore në disa sektorë që varen nga pagat e ulëta.
Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, tha se për sektorin e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit dhe sektorin e industrisë përpunuese, do të subvencionohet elementi i rritjes së kostos shtesë të kontributeve të sigurimeve shoqërore për çdo punonjës me pagë minimale, që janë në listëpagesën e muajit dhjetor.
“Kjo ndihmë vjen në mbështetje të atyre bizneseve që kanë një numër të lartë punonjësish. Numri i përafërt që përfitojnë nga kjo masë është rreth 30 mijë persona. Kjo do të bëhet në mënyrë që të gjithë subjektet të mbështesin koston shtesë gjatë gjithë vitit 2023.
Është një politikë që do të ndiqet në vijimësi nga qeveria shqiptare edhe për vitet në vijim, për të gjitha rritjet e pagës minimale, të cilat do të jenë më të larta se sa rritjet normale të zbatuara vitet e kaluara”, – tha Ibrahimaj.
Shqipëria me pagën minimale më të ulët në Europë, edhe pas rritjes
Shqipëria ka nivelin më të ulët të pagës minimale në Europë dhe rajon. Sipas përllogaritjeve të Eurostat, në janar 2023, paga minimale në Shqipëri është 297 euro në muaj, niveli më i ulët në Europë, madje me një diferencë të dukshme edhe me rajonin.
Me vendimin e fundit, paga minimale arrin në 341 euro, duke mbetur sërish niveli më i ulët në Europë, madje diferenca mund të thellohet pasi shtetet europiane janë duke rritur pagat me ritme shumë më të larta sa Shqipëria.
P.sh., nga viti 2019 në fillim të 2023, paga minimale në Europë u rrit mesatarisht me 146 euro, ndërsa në Shqipëri me vetëm 85 euro. Për shkak të bazës së ulët, rritja në përndiqje në Shqipëri është më e lartë, por në vlerë, rritja është më e ulëta në Europë.
Vitin e kaluar, pagat minimale shënuan rritje kudo në Europë, si rrjedhojë e masave që morën qeveritë dhe kompanitë për të mbrojtur punonjësit nga inflacioni lartë.
Sipas Eurostat, më 1 janar të këtij viti, 22 nga 27 Shtetet Anëtare të BE-së kishin një pagë minimale kombëtare, duke përfshirë Qipron.
Vendet e BE-së pa pagë minimale kombëtare ishin: Danimarka, Italia, Austria, Finlanda dhe Suedia. Pagat minimale mujore ndryshojnë shumë në shtetet anëtare, nga 399 euro në Bullgari në 2 387 euro në Luksemburg.
Ndër shtatë vendet kandidate dhe kandidate potenciale, pesë kishin një pagë minimale kombëtare (Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia dhe Turqia) ndërsa nuk ka Bosnjë-Hercegovina (nuk ka të dhëna për Kosovën).
Bazuar në nivelin e pagave të tyre minimale mujore bruto kombëtare të zbatueshme më 1 janar 2023, të shprehura në euro, Shtetet Anëtare të BE-së klasifikohen në tre grupe të ndryshme;
-Grupi 1, me një pagë minimale kombëtare mbi 1 500 euro në muaj. Në këtë grup bëjnë pjesë: Luksemburgu, Gjermania, Belgjika, Holanda, Irlanda dhe Franca. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 1 709 euro në Francë në 2 387 euro në Luksemburg.
-Grupi 2, me një pagë minimale kombëtare më të lartë se 1 000 euro por më e ulët se 1 500 euro në muaj. Në këtë grup bëjnë pjesë: Sllovenia dhe Spanja. Pagat e tyre minimale kombëtare ishin 1 167 euro në Spanjë dhe 1 203 euro në Slloveni;
– Grupi 3, me një pagë minimale kombëtare nën 1000 euro në muaj. Në këtë grup bëjnë pjesë: Qiproja, Portugalia, Malta, Lituania, Greqia, Polonia, Estonia, Çekia, Sllovakia, Kroacia, Letonia, Rumania, Hungaria dhe Bullgaria. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 399 euro në Bullgari në 940 euro në Qipro.
Të gjitha vendet kandidate dhe kandidate potenciale me një pagë minimale kombëtare i përkasin grupit 3, me nivele të pagave minimale që variojnë nga 298 euro në Shqipëri në 532 euro në Mal të Zi, raporton Eurostat. MONITOR