Sterkaj: Tregu i pasurive të paluajtshme është "botë burrash", por konkurrenca po ndryshon rregullat!

Sterkaj: Tregu i pasurive të paluajtshme është "botë

Sipërmarrësi Amarildo Sterkaj, i ftuar në emisionin "Drejt" në "Ora News", ka bërë një analizë të detajuar të zhvillimeve më të fundit në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Ai e ka cilësuar këtë sektor si mjaft konkurrues, por njëkohësisht të dominuar kryesisht nga meshkujt.

Sipas Sterkaj, biznesi i pronave është një nga tregjet më të ashpra, ku konkurrenca është e vazhdueshme dhe nuk toleron gabime. Gjatë emisionit, ai vlerësoi publikisht punën e agjentes së pasurive të paluajtshme, Jori, duke theksuar se suksesi i saj vjen si rezultat i profesionalizmit dhe aftësisë për t'u përshtatur.

"Ky është një treg shumë i egër. Nuk të fal dhe ta merr kafshatën nga goja. Jori ka rezistuar me shumë zgjuarsi dhe kompetencë, ndaj e përgëzoj publikisht," u shpreh Streka.

Duke folur për rolin e grave në këtë sektor, ai tha se, pavarësisht se ka gjithnjë e më shumë femra të suksesshme, dominanca vazhdon të jetë mashkullore. Sipas tij, kjo lidhet edhe me faktin se meshkujt janë më të prirur drejt investimeve dhe krijimit të të ardhurave, ndërsa rastet e grave investitore mbeten më të pakta.

Mbi dinamikën e punës së përditshme, sipërmarrësi shpjegoi se agjencitë shpesh përballen me luftë të fortë për të njëjtat prona dhe klientë, gjë që krijon përplasje dhe konflikte të vazhdueshme mes operatorëve në treg.

Për të shmangur këto përplasje, sektori po orienton hapat drejt një modeli shumë më profesional bashkëpunimi. Agjencitë po fokusohen gjithnjë e më shumë në sigurimin e kontratave ekskluzive me komplekse apo prona të caktuara, çka shmang konkurrencën e panevojshme dhe krijon një ndarje më të qartë të tregut.

"Ne po ndjekim një strategji tjetër. Po marrim ekskluzivitet dhe komplekse ekskluzive, kështu që secili ka territorin e vet. Nëse kam nevojë për një pronë që e menaxhon një koleg, bashkëpunoj drejtpërdrejt me të dhe nuk ka nevojë të kaloj në shumë agjenci të tjera," deklaroi Sterkaj.

Në përfundim, ai theksoi se tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më i organizuar. Modeli i ekskluzivitetit dhe bashkëpunimi i pastër direkt mes agjencive po shihen si rrugët kryesore për të rritur efikasitetin dhe për të eliminuar përplasjet në një nga sektorët më konkurrues në vend.

Amarildo Sterkaj: Absolutisht po. Çdo gjë që lidhet, të paktën në tregun, po flasim në këtë treg që jena na, absolutisht është një botë burrash. Atëherë, në rastin e kolegës, është për t'u përgëzuar sepse ky treg të ha, me shkelma përjashta. Është treg shumë i egër.

Është treg që nuk të fal, ta marrin kafshatën prej gojës. Edhe Jori ka rezistuar me shumë zgjuarsi dhe me shumë kompetencë edhe duke u zhvilluar përherë e më shumë. Dhe për këtë e përgëzoj. S'kam pasur raste me e përgëzuar live kështu në televizor, po e përgëzoj sot. Po është një treg shumë i egër. Është një treg që përditë ka elementa të rinj dhe sigurisht që ana mashkullore dominon për shumë arsye sepse e dimë që mashkulli është i prirur drejt krijimit të të ardhurave dhe investimeve dhe jo femra.

Në raste të rralla po, ka dhe femra investitore pa diskutim, por dominanca është e mashkullit.Dinamikat janë shumë të shpejta, vështirësia sepse shitësat që janë domethënë, ndërtuesat, kanë shumë aksese në të njëjtën kohë. Ne në njëfarë forme, të vëna në garë ndoshta për të njëjtat prona  edhe pa dashje mund të shkapeten na me kolegë të zyrave, sepse ndoshta të njëjtit klienta sillen te të njëjtat prona edhe ka edhe vështirësi të tilla.

Por gjithsesi, ne jena tu ndjek një strategji tjetër. Jena tu marrë ekskluzivitete, jena tu marrë komplekse ekskluzive, kështu që secili ka territorin e vet edhe nuk përzijet me territorin e tjetrit, ose në qoftë se unë kam nevojë për ekskluzivitetin që ka Jori, i them shkoj te Jori, nuk kam nevojë me shku nëpër 10 agjensi të tjera.

EMISIONET