Mersin: Tregu i pronave në Shqipëri kërkon profesionalizëm, njohuri dhe vendosmëri!

Mersin: Tregu i pronave në Shqipëri kërkon profesionalizëm,

Sipërmarrësja Jori Mersin, e ftuar në emisionin “Drejt” në Ora News, rrëfeu rrugëtimin e saj në tregun e pasurive të paluajtshme, duke e cilësuar këtë sektor si një nga më sfiduesit për t’u ndërtuar profesionalisht, veçanërisht për një vajzë të re.

Mersin tha se zgjedhja për t’u futur në tregun imobiliar erdhi natyrshëm, pasi shitja ka qenë gjithmonë pasioni i saj. Duke parë zhvillimin e vrullshëm të ndërtimit në Shqipëri dhe zgjerimin e zonave urbane, ajo vendosi të provonte veten në një fushë që, sipas saj, ofronte mundësi të mëdha.

Sipas sipërmarrëses, profesioni i agjentit imobiliar nuk kufizohet vetëm te shitja e një prone. Ajo theksoi se një profesionist duhet të ketë njohuri në fusha të ndryshme, duke u bërë njëherazi "pak bankier, pak noter, pak arkitekt", si edhe të ketë njohuri juridike për të zgjidhur problematikat që lidhen me dokumentacionin e pronave, të cilat vijojnë të jenë të pranishme në Shqipëri.

Mersin u ndal edhe te vështirësitë që hasin gratë në këtë sektor. Ajo tregoi se e nisi karrierën në moshën 25-vjeçare dhe u përball me paragjykime, pasi tregu i ndërtimit dhe i pasurive të paluajtshme dominohet nga burrat. Megjithatë, sipas saj, profesionalizmi, vendosmëria dhe serioziteti janë mënyra e vetme për të fituar besimin dhe respektin në biznes.

Në përfundim, Mersin theksoi se tregu imobiliar është një profesion që mund ta provojë kushdo, por jo të gjithë arrijnë të kenë sukses. Sipas saj, përveç aftësive në shitje, ky profesion kërkon përgatitje të vazhdueshme, njohuri të gjera dhe aftësinë për t’u përballur me çdo sfidë që sjell tregu.

Jori Mersin:Po shiko Luan, unë gjithmonë kam qenë në shitje si natyrë dhe them arti i shitjes është, o e ke ose s'e ke. Por përsa i përket pjesës së tregut imobiliar, po shikoja që Shqipëria ishte gjithmonë edhe në zhvillim, po shikoja që po ndërtohej cep më cep. Pra filloi të merrte zhvillim edhe zona që ndoshta ne nuk i njihnim. Atëherë thashë pse jo, unë shitjen është gjëja që më pëlqen më shumë dhe gjëja që e ndjej veten 100% in.

Atëherë pse mos të tentoj dhe të shikoj diçka më ndryshe nga bizneset ose nga veprimtaritë që ndërmarrin njerëz të tjerë në botën e biznesit. Pastaj se sa e gjen veten, unë them gjithmonë që është një punë që çdokush mund ta bëjë, por jo çdokush e bën. Që do të thotë, ty të jepet mundësia, mund të adaptohesh me tregun, mund ta shohësh si një zhvillim për biznesin tënd, por jo çdokush e bën sepse kjo puna duhet të jesh pak bankier, pak noter, pak arkitekt, pak, pak, pak nga të gjitha, që ti të plotësohesh.

Edhe pak matrapaz për t'u bërë kjo që ti je sot edhe për t'i dalë tregut hapur dhe të kesh informacion mbi çdo drejtim edhe mbi çdo pyetje apo dhe mbi çdo problematikë që mund të dali. Sepse pronat në Shqipëri gjithmonë kanë pasur edhe problematika me dokumentat.

Që kështu duhet të jesh edhe pak juridik si person në dokumentacione dhe prona. Një femër, sidomos një vajzë në të 25-at kur e kam nisur unë, është gjithmonë shumë e vështirë për të hyrë në botën e biznesit, sidomos në tregun e ndërtimit, ku ke të bësh në një botë burrash them unë, në një botë ndërtuesish edhe gjithmonë dihet ajo se si të shohin në Shqipëri në fillime, derisa ti i tregon që shiko se unë jam një vajzë e fortë, unë jam këtu për biznes edhe këtë gjë do ta çoj deri në fund.

EMISIONET