Paralizohet incineratori i Elbasanit/ ECO ELB nuk ka makineri, hap tender për shpërndarjen e mbetjeve

150 mijë euro shtesë do ti kushtojë Elbasanit landfilli i krijuar nga koncesioni që është në hetim. Bashkia është dorëzuar përballë faktit se nuk ka as mjete për të shpërndarë mbetjet në landfill, ndaj ka kërkuar shërbim nga privatët. Nga ana tjetër edhe pse u paguan 3 milionë euro, incineratori për djegien e mbetjeve nuk punon.

Edhe pse incineratori i Elbasanit do të duhej të kishte nisur prodhimin e energjisë elektrike, shpenzimet në të nuk kanë ndalur.

Madje Bashkia e këtij qyteti ka parashikuar të shpenzojë 169 milionë lekë për të siguruar automjetet që do të përdoren për shpërndarjen e mbetjeve brenda landfillit.

Në fakt tenderin e ka hapur “ECO ELB Sh.A”, me një fond limit prej 17 milionë lekësh.

Pjesëmarrës sipas dokumenteve zyrtare është vetëm “ERGI” sh.p.k. që është shpallur edhe fitues. 

Kompania në pronësinë e Ergi Ballës ka ofruar vetëm 18 mijë lekë më parë nga buxheti që kishte vënë në dispozicion autoriteti kontraktues.

Ky operator do të sigurojë mjetet që i duhen për transportin e mbetjeve të rënda, përfshirë dhe buldozerët për të shpërndarë mbetjet brenda landifllit.
Në fakt prej fundit të vitit të shkuar incineratori i  Elbasanit është sekuestruar nga SPAK pas hetimeve për korrupsion me koncesionin.

Është kompania ‘‘Albtek Energy’’që fitoi kontratën 7 vjeçare me vlerë 3 milionë euro për ndërtimin e incineratorit të mbetjeve.

Por edhe pse u shkelën të gjithë afatet, ende në këtë qytet nuk ka nisur djegia e mbetjeve dhe prodhimi i energjisë elektrike.

Tashmë edhe nën sekuestron e SPAK duket se situata nuk ka ndryshuar, kur "EKO ELB" detyrohet të paguajë nënkontraktorë për të marrë edhe shërbimin e shpërndarjes së plehrave brenda landfillit.

EMISIONET