VIDEO/ Tirana, në një ditë të zakonshme plot me turistë
Turistë nga e gjithë bota kanë zgjedhur të vizitojnë kryeqytetin shqiptar në çdo stinë të vitit, duke e kthyer në një atraksion absolut.
Investimet në infrastrukturë, arkitekturë, por edhe sitet historike e kanë shndërruar kryeqytetin në një nga destinacionet turistike më të preferuara gjithëvjetore nga turistët e huaj. Por, jo vetëm Tirana, edhe Shqipëria është shndërruar në një ofertë turistike të turizmit gjithëvjetor, me atraksione të të gjitha llojeve, nga kultura, arti, historia apo kulinaria.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Tirana plot me turistë në një ditë të zakonshme korriku.
Turistët i gjen kryesisht përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, sheshit “Skënderbej”, te “Piramida”, në Bunk’Art, Xhaminë e Et’hem Beut, por edhe në muzetë e Tiranës, ku mund të mësojnë më shumë për kulturën dhe traditën shqiptare.
Tirana është një nga qytetet më të gjalla të Evropës Juglindore që është kthyer në një qendër atraksioni turistik për turistë të huaj nga rajoni, Evropa, por edhe më gjerë.
Në vetëm 15 kilometra katrorë sipërfaqe, në Tiranë mund të shijosh thuajse të gjitha format e turizmit, duke nisur nga ai kulturor, historik, duke vijuar te turizmi arkitekturor e kulinar, e mandej te turizmi malor dhe ai i aventurës.
Disa prej pikave atraktive, që mund të vizitojnë turistët e huaj në Tiranë, por dhe në rrethina, janë Mozaiku i Tiranës, Kulla e Sahatit, Xhamia e Et’hem Beut, Tyrbja e Kapllan Pashës, Kalaja e Tiranës, qendra e Tiranës “Ansambël Monumental”, Ura e Tabakëve, Kalaja e Petrelës, Muzeu Historik Kombëtar, “Bunk’art” 1 dhe 2, Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe”, etj. Grupet e turistëve i gjen kryesisht te sheshi “Skënderbej”, te Kalaja e Tiranës dhe te Pazari i Ri.


