Mbyllja e përkohshme e qumështores "Vita" ndez reagime në Kosovë! Fermerët dalin në protestë

Mbyllja e përkohshme e qumështores "Vita" ndez reagime

Mbyllja e përkohshme e qumështores Vita, një prej kompanive më të mëdha të përpunimit të qumështit në Kosovë, ka shkaktuar reagime të forta politike, ekonomike dhe publike, ndërsa fermerët kanë dalë në protestë në mbështetje të saj.

Sipas kompanisë, inspektimet e kryera pa paralajmërim, me urdhër të Ministrisë së Bujqësisë, kanë çuar në pezullimin e përkohshëm të aktivitetit. Vita e ka cilësuar këtë veprim si një goditje ndaj prodhuesve vendorë, duke theksuar se kompania punëson rreth 500 persona dhe bashkëpunon me qindra fermerë në mbarë vendin.

Ngjarja ka rikthyer në vëmendje sloganin e dikurshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, “Duaje tënden!”, me kritikët që akuzojnë qeverinë se ka ndryshuar qasje ndaj bizneseve vendase. Sipas tyre, politika që dikur promovonte mbështetjen për prodhimin vendas, sot po ushtron presion mbi të.

Pas vendimit, reagimet kanë ardhur nga figura politike, përfaqësues të biznesit dhe qytetarë, ndërsa fermerët kanë organizuar protesta në shenjë solidariteti me kompaninë, duke kërkuar zgjidhje të shpejtë të situatës dhe mbështetje për sektorin e prodhimit vendas.

Çështja pritet të dominojë debatin publik në Kosovë, ndërsa mbetet për t'u parë nëse autoritetet dhe kompania do të arrijnë një zgjidhje që do t'i hapë rrugë rifillimit të aktivitetit të qumështores./KLANKOSOVA

EMISIONET