Të paktën 30 të vrarë pas sulmit më masiv rus ndaj Kievit

Kryeqyteti ukrainas, Kievi, është goditur nga një sulm masiv me dronë dhe raketa nga Rusia gjatë natës, ku të paktën 30 persona kanë humbur jetën dhe 91 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale, raportoi BBC.
Kryetari i bashkisë, Vitali Klitschko e cilësoi sulmin si “më i madhi deri më tani” ndaj qytetit, ndërsa u raportua dëmtimi i disa zonave të banimit, përfshirë një ndërtesë shumëkatëshe dhe një stacion ambulance.
Sulmi zgjati mbi 11 orë dhe u krye në disa valë, me dhjetëra raketa dhe qindra dronë.
Autoritetet ukrainase thanë se shumica prej tyre, u rrëzuan nga mbrojtja ajrore, por disa goditën të paktën 33 lokacione.
Rreth 52 500 persona, përfshirë mijëra fëmijë, u strehuan në metro gjatë natës.
Rusia pretendoi se kishte goditur objekte ushtarake dhe e paraqiti sulmin si një kundërpërgjigje ndaj sulmeve ukrainase në territorin rus.
Ukraina i hodhi poshtë këto deklarata, duke theksuar se objektivat ishin zona civile.
Sulmi ka shkaktuar shkatërrime të mëdha, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet nën rrënoja dhe autoritetet ukrainase po kërkojnë më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore nga aleatët.


