REPORTAZHI/ Lugina e Valbonës, turistët zgjedhin bukurinë e egër shqiptare

REPORTAZHI/ Lugina e Valbonës, turistët zgjedhin bukurinë e

Mes majave të Alpeve Shqiptare, lumi i Valbonës rrjedh i kthjellët dhe i ftohtë, duke krijuar një nga peizazhet më mbresëlënëse natyrore në Shqipëri. Ujërat të pastra kristal, që burojnë nga zemra e maleve, i shoqërojnë vizitorët përgjatë gjithë luginës, duke e kthyer këtë destinacion në një prej më të preferuarve për turizmin malor.

Që në momentin e parë kur afrohesh në luginë, përballesh me një panoramë që duket si e dalë nga një kartolinë. Ujëra të kthjellëta me nuancë të gjelbër dhe blu, gurë të bardhë që ndriçojnë nën rrezet e diellit dhe një qetësi që ndërpritet vetëm nga gurgullima e rrjedhës së lumit. Ajri është i freskët, i pastër dhe mbart aromën e pyjeve dhe pishave.

Për turistët, lumi i Valbonës nuk është thjesht një vend për t’u parë, por një përvojë për t’u jetuar.

“Përshëndetje, unë jam Alex, vij nga Mançesteri. Pushimet e mia këtu në Valbonë kanë qenë të jashtëzakonshme. Mikpritja ka qenë shumë e mirë. Ushqimi ka qenë i shijshëm, vera është shumë e mirë. Nëse keni mundësi, ejani këtu. Dielli është i bukur, malet janë të bukura. Po qëndroj këtu në hotelin “Resort Valbona”. Jam trajtuar si mbret. Patjetër do të vij sërish. Shërbim shumë i mirë, njerëz shumë të mirë, më kanë trajtuar si familje dhe patjetër do të kthehem përsëri”, u shpreh për ATSH-në, një prej turistëve të shumtë të huaj që kanë zgjedhur Valbonën si destinacionin e tyre të pushimeve.

Gjatë rrugëtimit në këtë atraksion të veçantë në veri të vendit, ATSH pa nga afër grupe të mëdha turistësh të huaj, të të gjitha grupmoshave, fëmijë të shoqëruar nga prindërit dhe të rritur që dokumentonin me aparate fotografike dhe video, çdo fragment të kësaj bukurie natyrore. Të tjerë syresh, kishin hapur çadrat e plazhit dhe karriget e vogla buzë lumit të Valbonës, për të marrë rrezet e diellit dhe për të shijuar natyrën malore të vendit tonë.

Shtigjet në luginën e Valbonës janë ideale edhe për hiking dhe ecje të gjata në natyrë. Ecja përgjatë shtegut Valbonë–Theth, raftingu në segmente të caktuara të lumit, alpinizmi dhe fotografia e natyrës janë vetëm disa nga aktivitetet që tërheqin vizitorë nga e gjithë bota.

Banorët e zonës e shohin lumin si pjesë të identitetit të tyre, ndërsa mikpritja tradicionale e zonës e bën përvojën edhe më të veçantë, duke i dhënë turistit ndjesinë se nuk është thjesht vizitor, por pjesë e kësaj bote që gjendet në veri të vendit tonë.

Lugina e Valbonës është një monument natyror i mbrojtur nga shteti i shpallur “Park Natyror Kombëtar”. Ajo ka marrë emrin nga lumi i Valbonës që është rreth 50,6 km i gjatë, i cili nis nga Qafa e Valbonës dhe përfundon në Luginën e Drinit, pranë digës së hidrocentralit të Fierzës.

Karakteristikë e lumit Valbona është trofta pikaloshe dhe ujëvarat e shumta, veçanërisht ajo e Rragamit, e cila krijon një numër të madh pragjesh.

Lumi i Valbonës mbetet një nga destinacionet më të veçanta natyrore në Shqipërisë, një vend ku natyra, qetësia dhe bukuria bashkohen në një përjetim unik./ATSH

EMISIONET