Nga Vlora në Fier u tregtua kallamar me metal toksik. Manush Kullolli bëhet “avokat” i bizneseve

Në 10 janar 2025 në Shqipëri është importuar kallamar nga Italia, i cili përbën rrezik për shëndetin e konsumatorëve, sepse përmban kadmium.

Kadmiumi është një metal i rëndë dhe toksik, që mund të grumbullohet në organizëm dhe me  kalimin e kohës shkakton dëme në veshka, mëlçi dhe sistemin nervor. Ekspozimi i zgjatur mund të rrisë gjithashtu rrezikun për sëmundje kronike.

Prezenca e metalit toksik në kallamar është zbuluar pas kontrolleve të kryera në Itali dhe më pas është njoftuar edhe vendi ynë për të larguar nga tregu sasinë e importuar.

Pas informacionit që televizioni “Ora News” i kërkoi Agjencisë Kombëtare të Ushqimit në lidhje me këtë rast, ky institucion na njofton se sasia e importuar në Shqipëri është 180 kg, dhe data e skadencës së produktit është gusht 2026.

Gjatë kontrolleve të kryera nga inspektorët e AKU nuk është bërë i mundur bllokimi i produktit, pasi e gjithë sasia ka rezultuar e shitur.

Burime zyrtare për “Ora News” bëjnë me dije se kallamari me prezencë kadmiumi është tregtuar në 7 restorante në qarkun e Vlorës dhe një restorant në Fier.

Teksa skandalet ushqimore në vendin tonë nuk kanë të ndalur drejtuesi i AKU, Manush Kullolli është thellësisht i shqetësuar për imazhin e subjekteve private.

Pyetjes së televizionit “Ora News” se cili është subjekti që ka importuar këtë produkt, AKU nuk i jep përgjigje, edhe pse e ka detyrim ligjor.

Shqetësimi më i madh i AKU nuk është siguria e konsumatorëve, por fakti se një biznesi mund t’i prishet imazhi.

Në kthimin e përgjigjes, AKU shprehet: “Roli kyç funksional dhe ligjor i AKU-së nuk është shpërndarja e emrave tregtarë, markave apo subjekteve private në çdo rast dyshimi, por garantimi i sigurisë ushqimore”.

Drejtuesi i AKU ka për detyrë të zbatojë ligjet në fuqi dhe jo të “shpik” ligje të reja.

Pika 3, e nenit 3 e Ligjit “Për të Drejtën e Informimit” shprehet qartë: “Çdo person ka të drejtë të njihet me një informacion publik nëpërmjet dokumentit origjinal, ose duke marrë një kopje të tij në formatin që mundëson akses të plotë në  përmbajtjen e dokumentacionit”.

Një pyetje publike kemi për drejtuesin e AKU: Sa kushton heshtja juaj Z. Kullolli?

EMISIONET