"Ne përdorim të njëjtin sistem që nga 2008-ta" / Sejdarasi: Të gjitha taksat që duhet të marrë, shteti i merr te litri i karburantit
I ftuar në emisionin “Ora e Betit”, gazetari Bardhi Sejdarasi ka folur për arsyet pse çmimet e karburanteve në Shqipëri mbeten ndër më të lartat në botë.
Sipas tij, ndikimi i krizave ndërkombëtare është i pranishëm, sidomos pas tensioneve në Lindjen e Mesme dhe efektit në bursat globale, ku çmimi i naftës është rritur ndjeshëm.
Edhe pse Shqipëria nuk furnizohet drejtpërdrejt përmes Ngushticës së Hormuzit, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohet automatikisht edhe në vend.
“Nëse i referohemi çmimit të bursës, nga 600-700 dollarë për ton ka shkuar në 1200-1250… ky është efekti i krizës dhe i bllokimeve në treg”- tha ai.
Ai shpjegon se problemi kryesor nuk lidhet vetëm me tregjet globale, por me sistemin e taksave të ndërtuar ndër vite në Shqipëri.
Sipas tij, vendi përdor një formulë që nga viti 2008, ku një pjesë e madhe e taksave përfshihen direkt në çmimin e karburantit.
“Ne kemi një sistem unik… të gjitha taksat që duhet të marrë shteti i merr te litri i karburantit, është një dritare e vetme”- u shpreh Sejdarasi.
Sejdarasi shton se ky model ka bërë që Shqipëria të renditet ndër vendet me çmimet më të larta globalisht.
Ndërkohë, ai nënvizon edhe një paradoks, tarifat për importin e makinave janë më të ulëtat në Europë, pasi pjesa më e madhe e barrës fiskale është zhvendosur te karburanti.
Sipas tij, ky kombinim i taksave dhe zhvillimeve ndërkombëtare është arsyeja pse çdo lëvizje në tregjet globale ndjehet më fort në xhepat e qytetarëve shqiptarë.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT":


