RRITJA E ÇMIMEVE TË KARBURANTEVE/ Ciko: S'është thjesht çështje reagimi të qeverive, duhet të reagojnë dhe kompanitë private

I ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit”, eksperti i ekonomisë Ilir Ciko ka folur për rritjen e çmimeve të karburanteve dhe mënyrën si po përballohet situata në Shqipëri krahasuar me vendet europiane.

Ai sjell në vëmendje modelin e Francës, ku jo vetëm qeveria, por edhe kompanitë private kanë marrë përgjegjësi për të mbajtur nën kontroll çmimet.

Sipas tij, një nga kompanitë më të mëdha, "TotalEnergies", ka mbajtur çmimet të pandryshuara, duke treguar një qasje të përbashkët për të përballuar krizën.

“Nuk është thjesht çështje e reagimit të qeverive, por është edhe reagim i pjesëtarëve të tjerë të shoqërisë… në Francë edhe kompanitë janë angazhuar dhe kanë mbajtur çmimin e naftës pa ndryshim”- u shpreh ai.

Në Shqipëri, situata paraqitet ndryshe. Çmimi i karburanteve është rritur menjëherë, pa pritur as afatin e rezervave, ndërsa mungon një reagim i përbashkët mes shtetit dhe sektorit privat.

Ciko thotë se përgjegjësia nuk duhet parë vetëm te qeveria, por edhe te kompanitë dhe vetë reagimi i qytetarëve ndaj tregut.

“Nuk duhet ta shikojmë vetëm te qeveria… kompanitë private që operojnë në këtë sektor duhet të reagojnë, ndërsa duhet parë edhe mundësia për lehtësim të barrës fiskale”- tha eksperti.

Ai ndalet edhe te struktura e taksave mbi karburantet, duke e përshkruar si të rënduar dhe të ndërtuar ndër vite pa një logjikë të qartë.

Sipas tij, kjo është një nga arsyet kryesore që çmimi i naftës në vend mbetet i lartë dhe çdo krizë ndërkombëtare ndjehet më fort nga qytetarët.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT":

EMISIONET