Zjarri masiv shkatërron mbi 100 banesa, qindra persona evakuohen në Norvegji

Një zjarr i përmasave të mëdha në jug të Norvegjisë, ka shkatërruar më shumë se 100 banesa dhe ka detyruar qindra njerëz të largohen nga zona, sipas policisë dhe transmetuesit publik norvegjez, raportoi AP.
Zjarri shpërtheu dje rreth orës 15:30 në një kompleks banesash në zonën Krokstadelva, në komunën Dramen.
Flakët u përhapën me shpejtësi nga banesat drejt zonave përreth dhe më pas në pyjet pranë qytetit.
Përhapja e zjarrit u favorizua nga erërat e forta, terreni i pjerrët dhe afërsia mes banesave, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës.
Autoritetet e kanë cilësuar ngjarjen, si një nga zjarret më të mëdha të dekadave të fundit në Norvegji.
Më shumë se 60 zjarrfikës u angazhuan në operacionin për shuarjen e flakëve, ndërsa për ndërhyrje u përdorën edhe helikopterë për hedhjen e ujit nga ajri.
Sipas transmetuesit publik norvegjez NRK, qindra banorë u dërguan në një qendër evakuimi.
Rreth 400 persona u detyruan të linin përkohësisht shtëpitë e tyre, ndërsa shumë prej tyre u larguan me nxitim duke lënë pas sende personale dhe kafshë shtëpiake.
Policia bëri të ditur se nuk ka persona të raportuar të zhdukur.
Një pjesëtar i shërbimeve të emergjencës ka pësuar plagë të lehta gjatë ndërhyrjes, ndërsa disa persona janë kontrolluar nga ekipet mjekësore.
Shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar se si nisi shpërthimi i flakëve.
Dramen ndodhet rreth 34 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit norvegjez, Oslo.


