Vapa vd*kjeprurëse godet Evropën/ Mbi 10 mijë viktima në një javë dhe shumica ishin të moshuar

Mbi 10 mijë persona humbën jetën gjatë valës historike të të nxehtit që goditi Evropën Perëndimore në fund të muajit qershor. Të dhënat zyrtare tregojnë se pjesa më e madhe e viktimave ishin të moshuar, ndërsa ekspertët e lidhin rritjen e vdekjeve me temperaturat ekstreme.
Sipas rrjetit evropian të monitorimit të vdekshmërisë EuroMOMO, gjatë javës 22-28 qershor u regjistruan 10,650 vdekje, ndërsa mbi 9,000 prej tyre ishin persona të moshës 65 vjeç e lart.
Ekspertët vlerësojnë se një nivel kaq i lartë i vdekshmërisë në këtë periudhë të vitit është i pazakontë dhe se temperaturat ekstreme janë faktori kryesor që shpjegon këtë rritje. Nxehtësia mund të shkaktojë goditje termike dhe të përkeqësojë sëmundjet kardiovaskulare apo ato të frymëmarrjes, veçanërisht te të moshuarit.
Shkencëtarët vlerësojnë se vala e të nxehtit në fund të qershorit do të kishte qenë pothuajse e pamundur pa ndikimin e ndryshimeve klimatike, të cilat po i bëjnë fenomene të tilla më të shpeshta dhe më intensive.
Të dhënat bazohen në statistikat e 27 vendeve evropiane dhe përfshijnë të gjitha vdekjet e regjistruara gjatë javës kur temperaturat arritën kulmin në Francë, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore. Sipas ekspertëve, nuk u evidentua asnjë epidemi apo faktor tjetër madhor që të shpjegonte këtë rritje të vdekshmërisë.
EuroMOMO bën me dije se Franca dhe Belgjika ishin vendet që regjistruan nivelin më të lartë të vdekshmërisë së tepërt gjatë kësaj periudhe. Në Belgjikë, instituti i shëndetit publik Sciensano raportoi nivelin më të lartë të vdekjeve gjatë një vale të nxehti që nga viti 2000.
Ndërkohë, një studim i publikuar nga Imperial College London, Shërbimi Meteorologjik Britanik dhe Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër vlerëson se rreth 2,700 persona humbën jetën në Angli dhe Uells gjatë valëve të të nxehtit të majit dhe qershorit. Sipas studiuesve, 42% e këtyre vdekjeve lidhen me ndikimin e ngrohjes globale, e cila ka rritur intensitetin e fenomeneve ekstreme të motit.


