Tensione politike para duelit Spanjë-Francë, Sanchez: Le të fitojë futbolli, le të humbasë racizmi

Një ditë përpara gjysmëfinales së Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Francës, një debat politik ka zënë vend në qendër të vëmendjes pas deklaratave të ish-kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy për kombëtaren franceze.
Kryeministri aktual i Spanjës, Pedro Sanchez, reagoi ashpër ndaj komenteve të Rajoy, të cilat u interpretuan si ksenofobe dhe raciste. Në një postim në rrjetin social X, Sanchez mbrojti vlerat e përfshirjes dhe respektit.
“Spanja u përket atyre që e duan dhe punojnë për të, jo atyre që e çnderojnë me deklarata ksenofobe. Francë, shihemi në gjysmëfinale. Le të fitojë skuadra më e mirë dhe të humbasë racizmi”, shkroi ai.
Reagimi erdhi pasi Rajoy, në një artikull të botuar në gazetën El Debate, vlerësoi cilësinë e kombëtares franceze, por shtoi një koment që shkaktoi polemika.
“Franca është një ekip i nivelit të lartë. Megjithatë, ata nuk kanë asnjë lojtar francez në radhët e tyre”, shkroi ish-kryeministri spanjoll.
Deklarata u kritikua gjerësisht nga figura politike në Francë. Kreu i Partisë Socialiste, Olivier Faure, theksoi se identiteti francez nuk përcaktohet nga origjina apo ngjyra e lëkurës.
“Franca nuk është një komb etnik, nuk ka ngjyrë lëkure apo fe. Është një komb politik i bashkuar rreth motos republikane”, deklaroi Faure.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe lideri i Partisë Komuniste Franceze, Fabien Roussel, i cili i cilësoi fjalët e Rajoy si një shprehje të hapur të racizmit ndaj kombëtares franceze.
Pedro Sanchez ritheksoi se përkatësia ndaj një vendi nuk matet me mbiemrin, vendin e lindjes apo ngjyrën e lëkurës, por me kontributin dhe përkushtimin ndaj shoqërisë.

