Reforma, Gjiknuri - opozitës: Nëse ka vullnet, ky është momenti që ne mund ta realizojmë me një qasje politike për zgjedhjet e ardhshme

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi sot në seancën plenare në Kuvend, ku po shqyrtohet veprimtaria e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2025, se KQZ ka zhvilluar një punë të mirë dhe profesionale në administrimin e procesit zgjedhor.

Gjiknuri theksoi se edhe vlerësimet ndërkombëtare kanë evidentuar profesionalizmin e institucionit përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve.

“KQZ ka qenë një institucion që ka administruar zgjedhjet në mënyrë profesionale. Ka qenë në gjendje të adresojë shqetësimet e palëve. Rezoluta thotë se ka pasur administrim profesional të zgjedhjeve. Institucioni që administron zgjedhjet tregoi profesionalizëm, madje arriti të administrojë edhe votën e diasporës”, deklaroi Gjiknuri.

Ai u shpreh se, pavarësisht disa problematikave logjistike, procesi zgjedhor shënoi një hap të rëndësishëm, veçanërisht për shkak të zbatimit për herë të parë të votimit nga diaspora.

“Sigurisht që pati disa probleme logjistike, të cilat janë normale, pasi ishte hera e parë që votohej nga diaspora. KQZ ka zbatuar edhe teknologji të reja në zgjedhje”, tha ai.

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore i bëri thirrje opozitës për bashkëpunim, me qëllim përmirësimin e aspekteve që kërkojnë ndërhyrje dhe vijimin e procesit të reformimit të sistemit zgjedhor.

“Do të kërkoja nga opozita bashkëpunim, që të përmirësojmë problemet që kanë mbetur. Duhet të bashkëpunojmë për reformën zgjedhore”, përfundoi Gjiknuri.

Gjatë fjalës së tij, Gjiknuri tha se votimi elektronik është instrument për të cilin qeveria është shprehur e gatshme dhe mund të realizohet në bashkëpunim me opozitën.

Më tej, njoftoi se komisioni për ‘Zgjedhoren’ do të njoftojë seancën e ardhshme afatin pasi ka ende disa çështje të pazgjidhura mes palëve.

“Qeveria ka shprehur gatishmërinë me kohë për të financuar me një vlerë financiare që shkonte mbi 50 milionë euro për ta bërë në Shqipëri votimin në mënyrë elektronike”, tha ai.

“Nëse ka vullnet, ky është momenti që ne mund ta realizojmë me një qasje politike për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme”, shtoi ai.

Gjiknuri theksoi se, “Komisioni i reformës zgjedhore që besoj në seancën tjetër do të kërkojë edhe shtyrjen e afatit, ka kryer një punë relativisht të mirë, por ka pasur vështirësi në komunikimin politik”.

Gjiknuri kërkoi bashkëpunim nga opozita për ta shtyrë për disa muaj punën e Komisionit për Reformën Zgjedhore për të adresuar ato pak probleme që kanë mbetur

“Ne kemi mundësi të përmirësojmë integritetin e komisioneve zgjedhore, qoftë duke deleguar më shumë kompetenca në nivelet lokale, qoftë në një numërim më të shpërndarë, por qoftë duke përfshirë teknologjinë”, tha ai.

NDIQNI PUNIMET E SOTME PARLAMENTARE NË KUVENDIN E SHQIPËRISË

EMISIONET