BE miraton rregullat e reja për pasagjerët e linjave ajrore, më shumë të drejta duke nisur nga viti 2027

BE miraton rregullat e reja për pasagjerët e linjave ajrore, më

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë dhënë miratimin përfundimtar për rregullat e reja, që forcojnë të drejtat e pasagjerëve të transportit ajror.

Reforma, e cila ishte miratuar më herët edhe nga Parlamenti Evropian, do të hyjë në fuqi në mesin e vitit 2027.

Rregullat e reja sjellin mbrojtje shtesë për familjet, gratë shtatzëna dhe personat me aftësi të kufizuara ose me lëvizshmëri të reduktuar.

Fëmijët nën moshën 14 vjeç, do të kenë të drejtën të ulen pranë prindërve të tyre në avion, pa paguar tarifë shtesë për rezervimin e vendit.

E njëjta e drejtë do të vlejë edhe për gratë shtatzëna dhe personat me lëvizshmëri të kufizuar, që udhëtojnë me një shoqërues.

Kompanitë ajrore do të jenë gjithashtu të detyruara të korrigjojnë pa pagesë, gabimet drejtshkrimore në emrat e pasagjerëve në bileta dhe t’u japin pasagjerëve kartën e imbarkimit në letër, pa tarifë shtesë, nëse e kërkojnë.

Rregullat për dëmshpërblimet mbeten pothuajse të pandryshuara

Pasagjerët do të vazhdojnë të kenë të drejtë për dëmshpërblim, nëse fluturimi vonohet të paktën tre orë.

Shuma e kompensimit do të mbetet 250, 400 ose 600 euro, në varësi të distancës së fluturimit.

Kompensimi do të vazhdojë të zbatohet edhe për fluturimet e anuluara, më pak se 14 ditë para nisjes, nëse anulimi është përgjegjësi e kompanisë ajrore.

Nga ana tjetër, kompanitë nuk do të mbajnë përgjegjësi për vonesa ose anulime, të shkaktuara nga sjellja problematike e pasagjerëve, kushtet ekstreme të motit, fatkeqësitë natyrore apo grevat e stafit të aeroportit ose të shërbimeve tokësore.

Më shumë transparencë dhe procedura më të thjeshta

Sipas rregullave të reja, çmimet e biletave duhet të shfaqen duke përfshirë automatikisht bagazhin e dorës, në mënyrë që pasagjerët të krahasojnë më lehtë ofertat.

Megjithatë, kompanitë ajrore do të mund të ofrojnë tarifa më të lira, për ata që zgjedhin të udhëtojnë pa bagazh të madh në kabinë.

Reforma synon gjithashtu, ta bëjë më të lehtë procesin e kërkimit të dëmshpërblimit.

Kompanitë ajrore do të duhet t’i informojnë pasagjerët me shkrim për të drejtat e tyre, brenda 96 orëve nga përfundimi i udhëtimit.

Pasagjerët do të kenë në dispozicion nëntë muaj kohë për të paraqitur kërkesën, ndërsa kompanitë duhet ta paguajnë dëmshpërblimin ose të japin një shpjegim për refuzimin brenda 30 ditëve kalendarike.

Paketa e re, sqaron gjithashtu të drejtat e pasagjerëve në rast ndërprerjesh të udhëtimit, duke garantuar, kur është e nevojshme, ushqim, pije, akomodim dhe transport alternativ.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është se, pasagjerët që humbasin fluturimin e nisjes të një bilete vajtje-ardhje nuk do ta humbasin automatikisht të drejtën për të përdorur fluturimin e kthimit.

Gjithashtu, ata që detyrohen të udhëtojnë në një klasë më të ulët se ajo e rezervuar, do të marrin rimbursim automatik.

Rregullat e reja do të zbatohen për të gjitha fluturimet, që nisen nga aeroportet e Bashkimit Evropian, si dhe për fluturimet që mbërrijnë në BE – kur kryhen nga kompani ajrore me seli në një shtet anëtar të bllokut. 

EMISIONET