Trump hap derën për F-35/ Në shqyrtim shitja e avionëve Turqisë

Trump hap derën për F-35/ Në shqyrtim shitja e avionëve

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë të ditur se administrata amerikane do të marrë së shpejti një vendim për shitjen e mundshme të avionëve luftarakë F-35 Turqisë.

Çështja u përmend në fillim të takimit të tij me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në margjinat e Samitit të NATO-s.

Trump tha se gjatë bisedimeve me Erdoganin do të trajtohen edhe bashkëpunimi tregtar dhe ai ushtarak mes dy vendeve, ndërsa shitja e avionëve F-35 mbetet një nga temat kryesore.

Sipas presidentit amerikan, administrata e tij po shqyrton mundësinë që Turqia të pajiset me avionët luftarakë F-35, pavarësisht kufizimeve të vendosura nga Kongresi amerikan.

Trump vlerësoi marrëdhëniet me Ankaranë, duke u shprehur se Turqia, në shumë aspekte, ka qenë "më besnike" se disa vende të tjera që kanë marrë këta avionë.

Ai shtoi se shumë njerëz besojnë se Ankaraja duhet të ketë mundësinë të blejë F-35, pavarësisht blerjes së sistemit rus të mbrojtjes ajrore.

Në fund, presidenti amerikan e cilësoi F-35 si avionin më të mirë luftarak aktualisht në përdorim dhe përsëriti se shitja e tij Turqisë është një çështje që administrata amerikane po e shqyrton.

EMISIONET