Zhurmat, ekranet dhe rrëmuja vizuale mund të rrisin nivelet e stresit, ja çfarë thonë ekspertët...

Shpesh besojmë se ankthi, stresi ose lodhja emocionale vijnë vetëm nga mendimet tona. Megjithatë, ekspertët e shëndetit mendor po paralajmërojnë se mjedisi ku kalojmë ditën mund të ndikojë në trurin tonë shumë më tepër sesa e kuptojmë.
Zhurmat e vazhdueshme, dritat artificiale, njoftimet e telefonit, ekranet, rrëmuja vizuale apo edhe aromat e caktuara mund t’i dërgojnë sistemit nervor sinjale stresi, shpesh para se ta kuptojmë me vetëdije se diçka nuk shkon.
Sipas psikologut Ken Martz, truri nuk pret gjithmonë që mendimet tona ta analizojnë situatën përpara se të reagojë. Amigdala, pjesa e trurit që lidhet me emocionet dhe alarmin, përpunon informacionin që vjen nga shqisat shumë më shpejt sesa mendimi racional.
Kur ne kuptojmë se ndihemi të tensionuar, sistemi nervor mund të ketë nisur prej kohësh reagimin ndaj stresit,shpjegon ai.
Ekspertët theksojnë se shqisat tona ndikojnë drejtpërdrejt në gjendjen emocionale. Nuhatja, për shembull, lidhet ngushtë me zonat e trurit përgjegjëse për kujtesën dhe emocionet. Një aromë e njohur, si kafja, shiu apo një parfum i caktuar, mund të zgjojë menjëherë ndjenja të forta ose kujtime të hershme.
Në jetën moderne, mbingarkesa shqisore është bërë gjithnjë e më e zakonshme. Zyrat e hapura, trafiku, telefonat që bien vazhdimisht, ekranet dhe rrjetet sociale e mbajnë sistemin nervor në një gjendje të vazhdueshme vigjilence.
Kjo ngarkesë nuk shfaqet gjithmonë si stres i dukshëm. Ajo mund të manifestohet me nervozizëm, lodhje të pashpjegueshme, irritim ndaj gjërave të vogla ose ndjesinë se “diçka nuk shkon”, edhe kur nuk ka një arsye të qartë.
Ekspertët rekomandojnë reduktimin e stimujve të panevojshëm gjatë ditës. Disa minuta në heshtje, një vakt pa telefon, një shëtitje në natyrë apo dëgjimi i muzikës së qetë mund të ndihmojnë në uljen e tensionit.
Ekspozimi ndaj natyrës konsiderohet një nga mënyrat më efektive për të qetësuar sistemin nervor. Edhe disa minuta në një park, pranë pemëve apo duke dëgjuar zhurmën e ujit mund të ndikojnë pozitivisht në rrahjet e zemrës dhe nivelin e stresit.
Një teknikë e thjeshtë që rekomandohet nga specialistët për momentet e ankthit është metoda 5-4-3-2-1. Ajo ndihmon trurin të rikthehet në momentin e tanishëm përmes shqisave:
-Vëreni pesë gjëra që shihni.
-Prekni katër gjëra rreth jush.
-Dëgjoni tre tinguj.
-Identifikoni dy aroma.
-Përqendrohuni te një shije.
Ky ushtrim zgjat vetëm rreth një minutë e gjysmë dhe mund të ndihmojë në uljen e ankthit dhe largimin nga mendimet e tepërta.
Specialistët theksojnë se, nëse ndjenjat e ankthit, mbingarkesës apo tensionit bëhen të shpeshta dhe ndikojnë në jetën e përditshme, është e rëndësishme të kërkohet ndihma e një profesionisti të shëndetit mendor.
Ndonjëherë, problemi nuk qëndron vetëm te mendimet tona, por edhe te mjedisi që, në heshtje, e mban trurin në gjendje alarmi gjatë gjithë ditës.


