Xhiroja e tretë e Botërorit, Alliu: Portugalia është pretendente për titullin, Anglia po menaxhon forcat!

Xhiroja e tretë e Botërorit, Alliu: Portugalia është

Analisti Ilirjan Alliu, në një intervistë për “Ora News”, ka komentuar zhvillimet e xhiros së tretë të Botërorit, duke u ndalur te paraqitja e Portugalisë, roli i Cristiano Ronaldos dhe strategjia e Anglisë në fazën e grupeve.

Sipas Alliut, zhurma e krijuar rreth problemeve të mundshme brenda përfaqësueses portugeze nuk pasqyron realitetin e skuadrës. Ai theksoi se Portugalia nuk ka hasur vështirësi për shkak të Cristiano Ronaldos dhe se sulmuesi vazhdon të jetë një element kyç i ekipit.

“Mbrëmë Portugalia dha një përgjigje të heshtur, por shumë të fortë, përmes rezultatit, cilësisë së lojës dhe harmonisë në fushë. Ishte një mesazh për të gjithë ata që kanë folur për përçarje apo pakënaqësi në skuadër. Portugalia ka lojtarë me cilësi të jashtëzakonshme dhe mbetet një nga pretendentët kryesorë për të fituar Kupën e Botës”, u shpreh Alliu.

Duke komentuar debatin mbi moshën e Ronaldos, analisti vlerësoi se 41-vjeçari vazhdon të jetë zgjedhja më e mirë për repartin ofensiv të Portugalisë. Sipas tij, eksperienca dhe profesionalizmi i sulmuesit portugez e bëjnë atë ende të domosdoshëm për ekipin.

Alliu nënvizoi se Ronaldo tregoi një përqendrim të plotë ndaj frymës së grupit, duke vendosur interesat e skuadrës mbi ato personale dhe duke dëshmuar edhe një herë profesionalizmin e tij të lartë.

Sa i përket Anglisë, analisti argumentoi se barazimi i fundit nuk duhet parë si një rezultat shqetësues. Sipas tij, anglezët e menaxhuan ndeshjen në funksion të objektivit kryesor, pa konsumuar energji të panevojshme.

“Anglia nuk kishte detyrimin absolut për të fituar. Ekipet që synojnë të shkojnë larg në një turne të tillë dinë të administrojnë energjitë dhe të luajnë me ekuilibër. Anglia nuk rrezikoi pothuajse në asnjë moment dhe kërkoi me më shumë insistim fitoren vetëm në minutat e fundit”, përfundoi Alliu.

Ilirjan Alliu:Për çdo veprim e për çdo gjest apo për çdo zë që del për këta lojtarë. E mirëkuptoj të gjithë zhurmën që bëhet por situata është, e kam thënë dhe diku tjetër para dy-tre netës, nuk është situata ajo që transmetohet me situatën reale të Portugalisë. Nuk është se në ndeshjen e parë Portugalia çaloi për shkak të Ronaldos. Nuk është se është Ronaldo problemi i Portugalisë.

Sigurisht që me drejtimin e duhur, me ndërgjegjësimin e ekipit, të potencialit, të vlerave që ka Portugalia, si element individual ka vlera të jashtëzakonshme, si skuadër e tërë ka vlera të jashtëzakonshme. Për mua është një nga pretendentët kryesorë për fitimin e titullit botëror dhe kjo është një arsye jashtëzakonisht e madhe që çdo individ të lërë krenarinë e vet jashtë ekipit të futbollit dhe të përshtatet në një njësi të vetme që duhet të përpiqet të mundë çdo kundërshtar të vetin.

Mbrëmë ndeshja e Portugalisë ishte si një përgjigje e heshtur me rezultat, me cilësi loje, me impenjim, me harmoni, me reciprocitet në fushë. Për t'i dhënë përgjigje gjithkujt që shiti lajme për problemet te Portugalia apo te pranojnë s'pranojnë lojtarët e Portugalisë që Ronaldo të jetë në fushë. Përgjigjja dje ishte përfundimtare, përmbyllëse. Çdo ekip i kampionatit botëror do ketë probleme shumë të mëdhaja me një ekip si Portugalia.

Sigurisht që mosha nuk e favorizon. Në mënyrë absolute është më mirë të jesh 25 vjeç sesa 41. Por në termat sportivë llogaritet në këtë mënyrë: a ka Portugalia qendërsulmues më të mirë se Ronaldo në dispozicion dhe Ronaldo atij po i zë vendin? Jo. Ronaldo është fiks në vendin e vet, në kohën e vet, me cilësitë e veta, me lojë të zhvilluar dhe me rendiment në fushë, çka do të thotë që Ronaldo është në vendin e tij.

Nëse Ronaldo do të jetë egoist, kjo s'ka lidhje me moshën. Pastaj kjo ka lidhje me karakterin, ka lidhje me gjëra të tjera. Por unë mbrëmë pashë një Ronaldo 100% të përqendruar në frymën e grupit dhe ai është ai që profesionist dhe ka treguar që është super profesionist, sa të përshtasë veten me skuadrën dhe të vërë interesat e Portugalisë para vetes.

Nuk ishte një ndeshje që Anglisë i duhej fitorja me patjetër. Anglia dhe me katër pikë është e kualifikuar. Nuk është një ndeshje në të cilën Anglia duhet të konsumojë maksimumin e energjive të veta për ta fituar me se s'bën. Dhe këtë unë nuk e pashë që Anglia e kërkoi me insistim. Ajo e kërkoi me insistim 10 minutat e fundit të ndeshjes, krijoi tre-katër raste që dhe mund ta kishte fituar ndeshjen.

Në gjuhën sportive ekipet që pretendojnë të shkojnë larg i bëjnë llogaritë shumë mirë me energjitë që kanë. Ajo ishte një ndeshje e balancuar, e parrezikuar Anglia pothuajse në asnjë rast në portën e vet. Luajti me qarkullim para, pa e kërkuar me insistim, me forcë sikur të ishte ndeshja e jetës. Dhe proporcionalisht s'ka pse bën një sforcim aq të madh kur ka dhe shumë ndeshje para dhe nuk i rrezikohet asgjë. Ishte një ndeshje e luajtur në ekuilibër, pa harxhuar forcat.

EMISIONET