Kenia pezullon qendrën e karantinës për Ebolën të financuar nga SHBA pas urdhrit të Gjykatës!

Ministri i Shëndetësisë i Kenias, Aden Duale, ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të punimeve për ndërtimin e një qendre karantine për Ebolën të financuar nga Shtetet e Bashkuara, një ditë pasi u shpall fajtor për moszbatim të urdhrit të gjykatës.
Gjatë paraqitjes së tij në Gjykatën e Lartë, Duale kërkoi falje dhe njoftoi se kishte urdhëruar pezullimin e plotë të punimeve në bazën ushtarake në Nanyuki, ku po ndërtohej objekti me kapacitet prej 50 shtretërish.
Muajin e kaluar, Gjykata e Lartë kishte urdhëruar ndërprerjen e projektit deri në shqyrtimin e një padie të ngritur nga organizata për të drejtat e njeriut Instituti Katiba. Megjithatë, gjykata konstatoi se punimet kishin vijuar pavarësisht urdhrit.
Qendra ishte planifikuar për izolimin e qytetarëve amerikanë të dyshuar si të infektuar me Ebolën gjatë shpërthimit aktual në Republikën Demokratike të Kongos.
Ndërtimi i saj ka shkaktuar protesta të forta në Nanyuki, ku gjatë përplasjeve mes demonstruesve dhe policisë kanë humbur jetën tre persona.
Pavarësisht kundërshtimeve, autoritetet keniane dhe presidenti William Ruto kanë mbrojtur projektin, duke argumentuar se ai është i nevojshëm për forcimin e gatishmërisë ndaj Ebolës dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

