Të shtëna me a*më në një festival në Toronto, humbin jetën dy persona

Dy persona humbën jetën dhe katër të tjerë mbetën të plagosur pas të shtënave me armë zjarri gjatë një festivali në Toronto të Kanadasë. Policia ka nisur hetimet, ndërsa ende nuk ka persona të arrestuar.
Ngjarja ndodhi gjatë festivalit vjetor latin "Salsa në St. Clair", ku, sipas policisë, pati një shkëmbim zjarri mes dy personave.
Në vendngjarje u gjetën gjashtë persona të qëlluar me armë zjarri, ndërsa dy prej tyre humbën jetën.
Policia bëri të ditur se në zonë u sekuestruan dy armë zjarri. Deri tani nuk është arrestuar asnjë i dyshuar, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, u shpreh i tronditur nga ngjarja dhe shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, si edhe mbështetjen për të plagosurit dhe të gjithë personat e prekur nga incidenti.
Festivali "Salsa në St. Clair", i zhvilluar më 11 dhe 12 korrik, është një aktivitet i përvitshëm që sjell shfaqje muzikore dhe vallëzimi latin. Këtë vit u organizua edicioni i 22-të i tij.


