Spanja arreston kreun e mafias “Ndrangheta” më të kërkuar të Italisë, “Don Mico”

Policia spanjolle ka arrestuar kreun e mafias italiane “Ndrangheta”, një nga organizatat kriminale më të fuqishme me qendër në Kalabri, thanë autoritetet.
Prokurorët italianë në Kalabri, e kanë identifikuar të arrestuarin si Domenico Paviglianiti, i njohur edhe me nofkën “Don Mico”, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar, me urdhërarresti evropian që nga viti 2022.
I dyshuari u arrestua në Soria, rreth 200 kilometra në verilindje të Madridit, njoftoi dje në mbrëmje Policia Kombëtare Spanjolle.
Arrestimi i tij, erdhi pas disa muajsh hetimesh të përbashkëta, mes autoriteteve spanjolle dhe italiane.
Sipas policisë spanjolle, në Itali ai akuzohet për një sërë veprash penale, përfshirë krime të dhunshme, trafik droge dhe pastrim parash. Ai përballet me 19 vite burg.
Policia publikoi gjithashtu, një video në platformën X, ku i dyshuari shihet duke u shoqëruar i prangosur pa rezistencë.
Autoritetet në Kalabri thanë se procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë, pritet të nisin në ditët në vijim, në mënyrë që ai të vuajë dënimin e dhënë.
Sipas medias spanjolle, 65-vjeçari konsiderohet një nga të arratisurit më të kërkuar të Italisë dhe është arrestuar disa herë më parë, në Spanjë.
Ai u arrestua fillimisht, në vitin 1996 dhe u ekstradua në Itali në vitin 1999, ku më pas vuajti rreth 20 vite burg, përpara se të lirohej për shkak të një gabimi në llogaritjen e dënimit, raportuan gazetat “El Mundo” dhe “El País”.
Më vonë u arrestua sërish në Madrid në vitin 2021, por u lirua pasi dënimi i tij kishte përfunduar.
Sipas “El Mundo”, ai kishte jetuar një jetë të qetë në Soria, një qytet me rreth 40,000 banorë, nën mbrojtjen e një truproje.
“Ndrangheta” konsiderohet, një nga organizatat mafioze më të fuqishme në botë, dhe ka qenë në qendër të një lufte të përgjakshme klanesh në vitet 1980 dhe fillim të viteve 1990, që shkaktoi rreth 700 të vrarë.


