Humor dhe të papritura në komedinë “Sonte do darkojmë në shtrat”

Komedia “Sonte do darkojmë në shtrat” me regji të Kiço Londos, do të vijë sonte për publikun e kryeqytetit si dhe në ditët në vazhdim, 16, 17 dhe 18 qershor.
Komedia e cila ka shkaktuar të qeshura edhe në qytete të ndryshme të vendit, do të vijë sonte në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina”. “Sonte do darkojmë në shtrat” është një komedi brilante e shkruar nga autori Marc Camoletti.
Kiço Londo, përmes gjashtë aktorëve sjell një ritëm të stuhishëm, një vizion të freskët dhe plot humor. Në role janë: Cubi Metkaj, Erdit Asllanaj, Suela Prendi, Eno Basha, Greta Cani dhe Anxhelo Shkreli.
Autori i komedisë, Marc Camoletti, është i njohur për publikun shqiptar me suksesin e tij me shfaqjen “Boeing Boeing”. “Sonte do darkojmë në shtrat” sjell në të njëjtën mbrëmje, dy sekrete dhe shumë gënjeshtra.

Një çift bashkëshortor planifikon takime të fshehta në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend, gjithçka kthehet në një rrëmujë komike plot keqkuptime, situata të papritura dhe të qeshura pa fund.

