E rëndë në SHBA! 12 persona humbasin jetën nga rrëzimi i një avioni në Misuri

Të 12 personat që ndodheshin në bord kanë humbur jetën pas rrëzimit të një avioni në shtetin amerikan, Misuri, njoftuan sot autoritetet lokale, sipas “The Washington Post”.
Sipas drejtorit të menaxhimit të emergjencave në qarkun Bates, Dennis Jacobs, avioni i operuar nga një kompani lokale, nuk arriti të ngrihej mjaftueshëm në ajër pas ngritjes, duke humbur kontrollin.
Më pas, ai bëri një kthesë të papritur dhe u përplas në tokë me një kënd të pjerrët.
As piloti dhe as 11 pasagjerët nuk mbijetuan. Ata ishin në një fluturim – ku supozohej të kalonin pasditen duke u hedhur me parashutë.
Bordi Kombëtar për Sigurinë e Transportit në SHBA (NTSB) pritet të mbërrijë në vendin e ngjarjes për të nisur hetimet, ndërsa Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka konfirmuar se hetimi do të drejtohet nga NTSB-ja.
FAA bëri të ditur gjithashtu se në momentin e aksidentit, nuk po ofronte shërbime të kontrollit ajror në zonë.
Aksidenti fatal, ndodhi pranë një aerodromi në afërsi të qytetit të vogël Butler, në jug të Kansas City.
Sherifi i qarkut Bates, Chad Anderson, tha se disa të afërm të personave në bord, e kishin parë ngjarjen nga toka.
Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një avion pasagjerësh të një linje komerciale, ndërsa dyshohet se aksidenti ka qenë i rastësishëm.


