Zelensky takohet me Trump në samitin e G7/ Presidenti ukrainas kërkon më shumë a*më ndaj Rusisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mori pjesë në samitin e G7, ku pati edhe një bisedë të shkurtër me presidentin amerikan Donald Trump.
Fotografitë e publikuara nga presidenca ukrainase i tregojnë dy liderët ulur pranë njëri-tjetrit në tryezën e samitit, ndërsa në një tjetër imazh shfaqet edhe Marco Rubio.
Takimi shënon një nga kontaktet e rralla personale mes Zelenskyt dhe Trump pas tensioneve që karakterizuan marrëdhëniet e tyre gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë në shkurt të vitit 2025.
Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky e cilësoi diskutimin me liderët e G7 si konstruktiv dhe falënderoi partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen dhe propozimet konkrete për t’i bërë presion Rusisë që të pranojë paqen.
“Prioritetet janë të qarta: më shumë raketa për mbrojtjen ajrore, licenca për prodhimin e tyre, një paketë mbështetjeje për dimrin dhe rritje e presionit ndaj Rusisë. Është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të jenë të gatshme të mbështesin këto iniciativa”, shkroi Zelensky.
Presidenti ukrainas theksoi se zbatimi i masave të diskutuara është thelbësor për sigurinë e vendit të tij dhe për përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës. Ai shtoi se Rusia duhet të kuptojë se agresioni i saj nuk do të pranohet kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.
Takimi në kuadër të samitit të G7 vjen në një moment kritik për Ukrainën, e cila vazhdon të kërkojë mbështetje ushtarake dhe ekonomike nga aleatët perëndimorë përballë agresionit rus.


