“Epokë e re protestash qytetare”/ Xhaferri: Qytetarët po marrin në dorë zërin e tyre, partitë po mbeten pas
Në studion e Ora News ishte i ftuar deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, i cili komentoi zhvillimet e fundit lidhur me protestat qytetare në vend dhe pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve.
Sipas tij, nismat e pavarura qytetare po marrin gjithnjë e më shumë peshë, duke tejkaluar, sipas vlerësimit të tij, efektin e protestave të organizuara nga partitë politike.
“Dëshira qytetare është shumë më e fortë se çdo protestë e thirrur nga partitë politike. Në shumë raste, ato nuk kanë pasur më mbështetje reale, ndërsa sot qytetarët po reagojnë vetë për problemet e tyre të përditshme.”-tha Xhaferri.
Ai shtoi se një reagim i tillë ishte pritur prej kohësh, por sipas tij nuk ishte materializuar deri më tani, duke krijuar një ndjesi pasiviteti në shoqëri.
“Kjo është një situatë që e kemi pritur prej kohësh. Shpresa ishte zbehur, por tani qytetarët po tregojnë se janë të gatshëm të reagojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë për vështirësitë që përballojnë.”-shtoi ai.
Xhaferri e cilësoi këtë zhvillim si një fazë të re të angazhimit qytetar, ku sipas tij, protestat po organizohen dhe drejtohen nga vetë qytetarët, pa ndikim politik të drejtpërdrejtë.
Ai shtoi se kjo prirje mund të ndikojë në mënyrën se si zhvillohet debati publik dhe reagimi shoqëror në të ardhmen.


