Kremlini: Zelensky mund të vijë në Moskë, por vetëm për bisedime serioze

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka folur për zhvillimet e fundit diplomatike lidhur me luftën në Ukrainë, përfshirë mundësinë e dialogut me Kievin dhe vizitat e planifikuara të emisarëve amerikanë në Rusi.
Sipas tij, Moska është e gatshme të mirëpresë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky nëse ai shpreh gatishmëri për bisedime serioze, ndërsa për momentin nuk ekziston një kanal zyrtar komunikimi mes dy vendeve. Ai shtoi se Rusia ka paraqitur më herët disa pika të mundshme për negociata.
Peskov iu referua edhe vizitës së pritshme të emisarëve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, duke bërë të ditur se ende nuk janë përcaktuar data konkrete. Sipas tij, ata po punojnë aktualisht për një memorandum që pritet të nënshkruhet në Zvicër në fund të kësaj jave, pas së cilës mund të udhëtojnë drejt Moskës.
Në deklarimet e tij u prek edhe samiti i G7, ku ai bëri të ditur se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në takimin që po zhvillohet në Francë.

