SHBA: Bisedimet teknike me Iranin vijojnë sipas planit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që, në ditët në vijim, të zhvillohen bisedime të tjera me Iranin, pavarësisht disa sulmeve të ndodhura gjatë periudhës së armëpushimit, deklaroi dje në mbrëmje, një zyrtar i lartë i administratës amerikane.
“Asgjë nuk është anuluar”, tha zyrtari.
Sipas tij, bisedimet teknike për zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit mbeten në rrugën e duhur dhe do të zhvillohen sipas planit në ditët e ardhshme.
Ai shtoi se kanalet e komunikimit për shmangien e incidenteve, janë rikthyer në funksion pas samitit të mbajtur në Liqenin e Lucernës.
Një burim tha se SHBA-ja dhe Irani do të ndalojnë përkohësisht sulmet ndaj njëri-tjetrit, ndërsa do të vijojnë negociatat për zbatimin e marrëveshjes kuadër.
Gjatë kësaj periudhe, anijet pritet të lundrojnë lirshëm në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa vazhdojnë bisedimet për zbatimin e marrëveshjes.
Sipas portalit amerikan “Axios”, të dyja palët planifikojnë të takohen të martën në Doha, kryeqytetin e Katarit, megjithëse deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar.
Fillimisht, bisedimet ishin planifikuar të zhvilloheshin në Zvicër dhe do të përqendroheshin në programin bërthamor të Iranit.
Megjithatë, pas përshkallëzimit të fundit të tensioneve, ato u zhvendosën dhe tani do të fokusohen te situata në Ngushticën e Hormuzit, raportoi “Axios”.
Në fillim të kësaj jave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën sulme ndaj objektivave në Iran, pas incidenteve në Ngushticën e Hormuzit, për të cilat Uashingtoni fajësoi Teheranin.
Këto zhvillime rrezikuan të ringjallnin konfliktin, pothuajse dy javë pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit.
Të mërkurën, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio deklaroi se priste zhvillimin e bisedimeve të reja teknike me Iranin, duke përmendur të hënën ose të martën, si afat të mundshëm.
Ai tha gjithashtu se negociatat pritej të riktheheshin në Zvicër.
Të dielën e kaluar, përfaqësues të lartë të SHBA-së, Iranit dhe vendeve ndërmjetësuese, Pakistanit dhe Katarit, u takuan në një resort pranë Lucernës, ku ranë dakord të krijonin grupe pune, për çështje si sanksionet dhe programi bërthamor iranian, si edhe grupe kontakti për Ngushticën e Hormuzit dhe armëpushimin në Liban.
Negociatat mbështeten në memorandumin e mirëkuptimit, të arritur mes SHBA-së dhe Iranit.
Raundet e ardhshme, synojnë të gjejnë një rrugëdalje nga lufta, që SHBA-ja dhe Izraeli nisën kundër Iranit më 28 shkurt.


