Vuçiç: Serbia do të rrisë numrin e raketave kineze CM-400 dhe do të blejë avionë të rinj luftarakë

Vuçiç: Serbia do të rrisë numrin e raketave kineze

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar zgjerim të arsenalit ushtarak të vendit, duke përfshirë rritjen e numrit të raketave kineze CM-400 dhe blerjen e avionëve të rinj luftarakë. Deklaratat u bënë gjatë një stërvitjeje ushtarake të mbajtur në kuadër të festës së Vidovdanit.

Ngjarja u zhvillua më 28 qershor në aeroportin ushtarak në Batajnicë, pranë Beogradit, dhe në poligonin Pasuljanske Livade në Serbinë qendrore.

Gjatë demonstrimeve u shfaqën kapacitetet e njësive të artilerisë, raketore kundërajrore, aviacionit, tankeve, këmbësorisë dhe dronëve.

Në ekspozitën e pajisjeve ushtarake në Batajnicë u paraqitën edhe raketat CM-400, të blera nga Kina në muajin mars. Vuçiq i cilësoi ato si armë me rëndësi të lartë dhe njoftoi se numri i tyre do të rritet.

Serbia ka vijuar të forcojë bashkëpunimin ushtarak me Kinën, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni. Sipas të dhënave të SIPRI, pjesa më e madhe e armëve të importuara nga Serbia në periudhën 2020–2024 ka ardhur nga Kina, e ndjekur nga Rusia dhe Franca.

Vuçiq foli edhe për avionët francezë Rafale, për të cilët pilotët serbë kanë nisur tashmë trajnimet. Ai tha se pas dorëzimit të tyre, Serbia do të vijojë me blerje të tjera avionësh luftarakë dhe trajnues.

Ai rikonfirmoi se Serbia do të mbetet e angazhuar në politikën e neutralitetit ushtarak dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerë të ndryshëm, përfshirë vendet perëndimore, Kinën dhe Rusinë, në varësi të rrethanave ndërkombëtare.

Serbia është pjesë e programit “Partneriteti për Paqe” të NATO-s që nga viti 2006, ndërsa pas vitit 2022 kishte kufizuar stërvitjet me partnerë të huaj, me disa përjashtime të mëvonshme.

EMISIONET