"SPAK po vepron me standart të dyfishtë"/ Bardhi: Prokuroria e Posaçme duhet t’i drejtohet menjëherë Kuvendit

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka ngritur akuza ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe qeverisë, duke iu referuar çështjes së ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe procedurave hetimore të lidhura me të.
Bardhi ka vënë në pikëpyetje mënyrën e veprimit të SPAK, duke pretenduar se ekziston një standard i ndryshëm krahasuar me vendimet e mëparshme të institucionit në të njëjtën çështje.
“SPAK duhet t’i drejtohet pa vonesë Kuvendit për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut, siç ka vepruar më parë në raste të ngjashme.”-tha Bardhi.
Ai ka shtuar se, sipas tij, ndryshimi i qasjes së Prokurorisë së Posaçme në kohë të ndryshme ngre pikëpyetje për trajtimin e barabartë të rasteve.
“Ligji është i njëjtë në çdo kohë dhe duhet të zbatohet njësoj, pa standarde të dyfishta dhe pa ndikim politik.”-shtoi kreu i grupit parlamentar të PD-së.
Bardhi ka kërkuar që SPAK të veprojë pa vonesa në çështjen Balluku, duke theksuar se çdo shtyrje e mëtejshme dëmton besimin e publikut te drejtësia.


