Përshkallëzohet konflikti në Gjirin Persik, SHBA dhe Irani shkëmbejnë sërish sulme në Ngushticën e Hormuzit

Përshkallëzohet konflikti në Gjirin Persik, SHBA dhe Irani

Forcat amerikane kanë ndërmarrë në orët e para të së dielës sulme të reja ndaj objektivave iraniane në zonën e Ngushticës së Hormuzit, për të dytën ditë radhazi, duke goditur infrastrukturë ushtarake të mbikëqyrjes, sisteme komunikimi, pozicione të mbrojtjes ajrore dhe objekte të lidhura me dronët dhe minat detare.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, sulmet janë kryer si përgjigje ndaj një sulmi iranian ndaj një anijeje tregtare cisternë në rajon.

Po ashtu, u theksua se lundrimi tregtar në Ngushticën e Hormuzit vijon normalisht dhe forcat amerikane mbeten në gatishmëri të plotë.

Pak më vonë, sirenat e alarmit u dëgjuan në Bahrein dhe Kuvajt, pas një sulmi iranian me raketa dhe dronë. Autoritetet e të dy vendeve njoftuan se sulmet janë zmbrapsur, ndërsa Irani mori përgjegjësinë për goditjet ndaj instalacioneve ushtarake amerikane në rajon.

Garda Revolucionare e Iranit bëri të ditur se janë goditur disa objekte ushtarake amerikane në bazën Ali Al Salem në Kuvajt dhe në bazën e Flotës së Pestë amerikane në Bahrein. Sipas pretendimeve të saj, disa prej këtyre objektivave janë shkatërruar.

Nga ana tjetër, ushtria amerikane raportoi se ka goditur sërish objektiva brenda territorit iranian, përfshirë sisteme radari, komunikimi dhe mbrojtjeje ajrore. Sipas saj, këto veprime janë ndërmarrë pas vijimit të sulmeve iraniane ndaj interesave amerikane dhe anijeve tregtare.

Shpërthime janë raportuar në zona të ndryshme të jugut të Iranit, përfshirë Sirikun, Bandar Abbasin dhe ishullin Qeshm, ndërsa media shtetërore iraniane njoftoi dëmtime në infrastrukturë dhe disa goditje në zona të banuara, pa dhënë bilanc të detajuar.

EMISIONET