TAKIMI ME MACRON/ Rama zbardh bisedën me presidentin francez: Franca, vendimtare për rrugëtimin europian të Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama ka ndarë detaje nga takimi me presidentin francez Emmanuel Macron, duke e cilësuar atë një tjetër hap në forcimin e dialogut politik mes Shqipërisë dhe Francës.
Në podkastin “Flasim”, Rama tha se me kreun e Elizesë u diskutua mbi ecurinë e partneritetit strategjik mes dy vendeve, si dhe mbi mbështetjen e Francës për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sipas Ramës, në fokus të bisedës ishin edhe zhvillimet që lidhen me të ardhmen e Bashkimit Europian dhe roli i Francës në procesin e zgjerimit. Kryeministri theksoi se Parisi mbetet një partner i rëndësishëm për avancimin e perspektivës europiane të Shqipërisë, ndërsa u ndal edhe te nevoja për mekanizma të rinj që do ta çojnë më tej procesin e integrimit.
“Në vijim, për Shënimet e Javës, kam veçuar vizitën në Paris dhe më pas atë në Gdansk. Së pari, në Francë, me ftesë të Presidentit Emmanuel Macron, në një takim që ishte një tjetër stacion në rrugën e një dialogu gjithmonë e më të ngushtë politik mes Shqipërisë dhe Francës, i ndërtuar gjatë viteve të fundit. Diskutuam mbi ecurinë e projekteve të partneritetit strategjik mes dy vendeve. Patjetër, cekëm çështjen e mbështetjes së Francës në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe diskutuam mbi hapat e deritanishëm dhe hapat që janë në proces, si dhe zhvillimet që lidhen me të nesërmen e Bashkimit Europian, ku Franca, si një nga vendet që ka një peshë domethënëse në raport me zgjerimin, ka një rol të rëndësishëm për sa i përket shtytjes më përpara të një ideje se perspektiva europiane e Shqipërisë dhe e vendeve të tjera që negociojnë është e padiskutueshme, por, nga ana tjetër, duhen gjetur mekanizma të rinj, gjë që u shkrua edhe në letrën e përbashkët të Presidentit Emmanuel Macron me Kancelarin Friedrich Merz.
Nga ana tjetër, në fund të javës, shkova në Gdansk të Polonisë, në konferencën për rindërtimin e Ukrainës, ku u diskutua jo vetëm mbështetja për Ukrainën, por në tërësi arkitektura e sigurisë europiane në vitet që vijnë. Qëndrimi im, yni, i Shqipërisë, është i ditur; u rikonfirmua, ndërkohë që ishte po ashtu një vend i duhur, në kohën e duhur, për të nënvizuar se rindërtimi i Ukrainës dhe afrimi i mëtejshëm i Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Moldavinë dhe Ukrainën, në Bashkimin Europian, nuk duhen parë si dy procese të ndara, por si pjesë e të njëjtës qasje strategjike për një Europë më të qëndrueshme, për një Europë më të bashkuar, për një Europë më të sigurt“, tha ai.


