VAPA "PËRPIN" EUROPËN/ 150 milionë njerëz përballen me mbi 35°C, dhjetëra viktima dhe ndërprerje në disa vende

VAPA "PËRPIN" EUROPËN/ 150 milionë njerëz

Vala e të nxehtit vazhdon të përfshijë Evropën, ku të shtunën u regjistruan rekorde të reja temperaturash në disa vende të kontinentit.

Gjermania shënoi temperaturën më të lartë në historinë e saj për të dytën ditë radhazi, me 41.5 gradë Celsius të regjistruara në Möckern-Drewitz. Rekordi i ri kaloi atë të një dite më parë, kur termometri kishte arritur në 41.3 gradë Celsius në Saarbrücken, pranë kufirit me Francën.

Edhe Danimarka regjistroi ditën më të nxehtë që nga fillimi i matjeve në vitin 1874, me 36.6 gradë Celsius në veri të Odenses. Rekorde të reja u shënuan gjithashtu në Republikën Çeke, ndërsa në Sllovaki u regjistrua nata më e nxehtë ndonjëherë, me temperaturat që nuk zbritën nën 26.3 gradë Celsius.

Sipas të dhënave, rreth 150 milionë njerëz në Evropë po përjetojnë temperatura mbi 35 gradë Celsius. Organizata Botërore Meteorologjike paralajmëron se kjo valë e të nxehtit do të ketë ndikim të madh në shëndetin e njerëzve dhe në ekosisteme.

Në Francë, vala e të nxehtit është lidhur me vdekjen e dhjetëra personave. Temperaturat mbi 40 gradë kanë shkaktuar ndërprerje në transportin hekurudhor, ulje të prodhimit të energjisë, mbyllje të shkollave dhe shtyrje të aktiviteteve në ambiente të hapura.

Pasojat janë ndjerë edhe në sektorë të tjerë. Monumente kulturore janë mbyllur përkohësisht në disa vende, bujqësia ka pësuar dëme, ndërsa spitalet janë përballur me rritje të numrit të rasteve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Sipas Reuters, temperaturat kanë arritur deri në 18 gradë Celsius mbi mesataren sezonale për shkak të fenomenit të njohur si "bllokada omega", i cili mban ajrin e nxehtë të bllokuar mbi një rajon për një periudhë të gjatë.

Ndërkohë, kërkesa për ventilatorë dhe kondicionerë është rritur ndjeshëm në të gjithë Evropën. Prodhuesit aziatikë raportojnë rritje të shitjeve, ndërsa shumë banesa në Evropën Veriore nuk janë projektuar për të përballuar temperatura kaq të larta.

Meteorologët parashikojnë që vala e të nxehtit të nisë të zbutet gjatë fundjavës, ndërsa të dielën priten stuhi të forta në disa zona.

EMISIONET