"Rilindja Urbane 2.0"/ Rama prezanton infrastrukturën e re digjitale: Kabllot ajrore drejt zhvendosjes në nëntokë në qytete

Kryeministri Edi Rama prezantoi në podkastin “Flasim” një nismë të re për zhvillimin e infrastrukturës digjitale në qytetet e vendit, e cila synon sistemimin e rrjeteve të komunikimit elektronik dhe kalimin gradual nga kabllot ajrore në infrastrukturë nëntokësore.

Sipas tij, ndërhyrja synon përmirësimin e hapësirës publike dhe unifikimin e saj, duke eliminuar elementët e mbetur nga mënyrat e vjetra të shtrirjes së rrjeteve të internetit dhe komunikimit nëpër lagje e qytete.

Në vijim, Rama bëri të ditur se në muajin korrik do të prezantohet programi i ri kombëtar “Rilindja Urbane 2.0”, i ndërtuar në bashkëpunim me pushtetin vendor për fazën e ardhshme të zhvillimit urban në të gjithë vendin.

Programi parashikon ndërhyrje në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve, zhvillimin e transportit publik të gjelbër, shtimin e kapaciteteve për parkim, si dhe rigjallërimin e zonave industriale të papërdorura.

Po ashtu, përfshihet nxitja e muzeve të identiteteve lokale dhe zgjerimi i mbështetjes për start-up-et, si dhe forcimi i bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe sipërmarrjes për zhvillimin ekonomik.

Ai u ndal edhe te mënyra e zbatimit të programit, duke e lidhur atë me një angazhim të vazhdueshëm të pushtetit vendor në terren dhe me nevojën për më shumë transparencë dhe përfshirje të komunitetit në projektet publike.

“Rilindja Urbane 2.0” u prezantua si një hap në vijim të politikave të zhvillimit urban, me synim përafrimin e mëtejshëm me standardet e Bashkimit Europian në horizontin 2030.

FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT: 

Këtë javë prezantuam edhe një nismë të re për infrastrukturën digjitale në qytete, e cila synon që t’i japë fund asaj që ka mbetur nga epoka e përhapjes së internetit në formën e kabllove dhe kavove që rrotullohen rrugë më rrugë e lagje më lagje dhe të fillojmë sistemimin e rrjeteve të komunikimit elektronik, duke kaluar gradualisht në infrastrukturë nëntokësore.

Është një ndërhyrje që, patjetër, adreson domosdoshmërinë për të rritur më tutje cilësinë e hapësirës publike, për të unifikuar komponentët e hapësirës publike, duke vazhduar të pastrojmë llozhrat e së shkuarës së largët apo të afërt, që janë ende të pranishme nëpër qytetet tona dhe, në vijim, në muajin korrik, do të prezantojmë edhe programin e ri kombëtar "Rilindja Urbane 2.0", i cili është një program i ndërtuar në dialog me pushtetin vendor për fazën e ardhshme të zhvillimit të komuniteteve në të gjithë vendin, që shkon përtej investimeve që kemi bërë deri më sot.

Një program që do të adresojë ndërhyrjet e mbetura në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve, do të mbështesë zhvillimin e transportit publik të gjelbër, do të krijojë kapacitete të reja parkimesh, do të çelë rrugën e rigjallërimit të një sërë zonash industriale që kanë mbetur në pezullin e të shkuarës dhe do të nxisë zhvillimin e muzeve të identiteteve lokale, duke pasur njëkohësisht si pikë fokale zgjerimin e programit për start-up-et dhe forcimin e bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe sipërmarrjes në funksion të zhvillimit ekonomik.

Nuk është një program thjesht dhe vetëm i mbështetur nga një fond investimesh, por është një program që do të stimulojë marrëdhënien aktive të pushtetit vendor me komunitetin dhe një angazhim të përditshëm në zbatimin e projekteve në terren, në harmoni me nevojat e komunitetit për më shumë informacion, për më shumë transparencë, për më shumë vetëdijësim po ashtu.

Dhe në këtë frymë, një "Rilindje Urbane 2.0" do të jetë një hap tjetër i rëndësishëm drejt "Shqipërisë 2030" në Bashkimin Europian.

EMISIONET