Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut: Një kryebashkiak i regjimit të Al Assad, u ekzekutua publikisht nga rebelët
Një organizatë joqeveritare ka raportuar dje se kryetari i bashkisë së Dumarit, që ndodhet në veriperëndim të Damaskut, i cili u akuzua si besnik i regjimit të mëparshëm, është ekzekutua publikisht nga persona të armatosur të lidhur me pushtetin e ri në Siri.
"Mazen Kinana, i njohur për besnikërinë ndaj regjimit të mëparshëm, u ekzekutua nga persona të armatosur që i përkisnin koalicionit që mori pushtetin më 8 dhjetor", tha Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Konkretisht, kryebashkiaku u akuzua për përpilimin e raporteve të rreme të sigurisë që rezultuan në burgosjen dhe torturimin e shumë të rinjve në rajon, shtoi OJQ-ja, e cila është e bazuar në Britani dhe mbështetet në një rrjet të gjerë burimesh në Siri.
Ai ishte përgjegjës për vdekjen e disa të rinjve në periferi, sipas të njëjtit burim, shkruajnë mediat e huaja.
Autoritetet e reja de fakto në Siri deri më tani nuk kanë bërë asnjë koment për vrasjen e Mazen Kinana, për të cilën Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se shkaktoi "skena gëzimi" në komunitet.
Ditët e fundit, grupet e armatosura që morën pushtetin kanë nisur operacione në rajone të ndryshme të Sirisë, në kërkim të zyrtarëve të regjimit të Bashar al-Asad.
"Në mesin e personave të arrestuar ishin informatorë të shërbimeve të sigurisë së regjimit të rënë, njerëz besnik të armatosur, dhe pro-iranianë, oficerë të rinj që janë provuar se kanë kryer vrasje dhe tortura, tha Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut në fund të dhjetorit.
Sipas drejtorit të OJQ-së, Rami Abdel Rahman, "disa, në mesin e tyre informatorë, u arrestuan dhe më pas u ekzekutuan menjëherë", veprim të cilën ai e quajti "krejtësisht të papranueshme".
Pas një avancimi rrufe, një aleancë rebele hyri në Damask më 8 dhjetor 2024, duke e detyruar presidentin e rrëzuar Assad të ikte.
Disa ditë më vonë, ndërkohë që një pjesë e komunitetit ndërkombëtar shprehu shqetësimin për marrjen e pushtetit nga një aleancë e islamistëve ekstremë, autoritetet de fakto premtuan se në Siri do të vendosej një shtet i ligjit.
Në fund të dhjetorit, kreu i shërbimit të inteligjencës të qeverisë së re, Anas Khattab, denoncoi padrejtësinë dhe tiraninë e regjimit të vjetër dhe siguroi se siguria e Sirisë do të rivendosej.